Kreu i qeverisë Edi Rama ka kërkuar ndjesë për videon e një ditë më parë, ku një protestë antiqeveritare në Algjeri e publikoi si reagim të policisë spanjolle ndaj qytetarëve që thyejnë karantinën.
Ai kërkoi ndjesë për gafën duke thënë se kishte rënë pre e “qytetarit dixhital”, por theksoi se kjo nuk e ndryshon qëllimin për të parandaluar përhapjen e koronavirusit përmes izolimit të qytetarëve.
“Dje postova një video gabimisht që ma dërguan sikur ishte nga Spanja, por ishte nga Algjeria. Më falni që rashë pre e qytetarit digjital, por ama qëllimi i postimit të asaj videoje nuk ndryshon. Nuk do të tolerohet askush se grumbullimet dhe xhirot janë të paligjshme, dhe të patolerueshme. Duhet të gjithë të adaptohemi me orarin e ri. Duhet të marrim masat e reja, me ndryshimet e vazhdueshme.
Secili të bëhet ushtar në frontin e vet, në shtëpi, në kolltuk dhe duke mos marrë jetë njerëzish me pakujdesinë tonë. T’i bëjmë të gjitha ashtu siç duhet. Ne do ta fitojmë me çdo kusht këtë luftë”, tha Rama.