Shqipërinë dhe Austrinë krejt papritur duket sikur i lidhin shumë më tepër gjëra se zakonisht.
Pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Austri është spekuluar gjerësisht se Shqipëria do jetë vendi ku do vendosen mijëra emigrantë, të cilëve iu është refuzuar azili në vendet perëndimore.
Gazeta e njohur austriake Tiroler Tageszeitung shkruan se Austria është në bisedime me Shqipërinë për ngritjen e këtij kampi refugjatësh.
“Shqipëria, me të cilën Austria po diskuton për ngritjen e kampit të deportimit, shpreson në një dritë jeshile për të hapur bisedimet e pranimit në BE. Kjo do të vendoset në fund të qershorit. Për kryeministrin Edi Rama, kjo ka të bëjë me të ardhmen e vendit. “Negociatat me BE-në janë vendimtare për procesin e modernizimit të vendit. Nëse nuk ka dritë jeshile, zhgënjimi ndaj Europës do të rritet”. Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka frikë nga pasojat. “Nëse Europa nuk na e hap derën, ekziston rreziku i populizmit kundër Europës””.
Nga ana tjetër, mësohet se kryeministri shqiptar do jetë i pranishëm në Austri me një ekspozitë personale duke nisur nga 27 qershori deri më 23 dhjetor të këtij viti.
Ekspozita do hapet në Ajzenshtad dhe titullohet: “Edi Rama, shënime fantastike të kryeministrit shqiptar”.