Kryeministri Edi Rama i ka hedhur poshtë deklaratat e ndërkombëtarëve, të lëshuara një ditë më parë në Bruksel, për nevojën urgjente për kandidatë me integritet në listat zgjedhore të 25 prillit.
Në konferencën e përjavshme me temë “Ekonomia në Fokus”, Rama tha se nuk ka dëgjuar asnjë ultimatum, përkundrazi, vetëm vlerësime pozitive për Shqipërinë.
Nëse ka pasur në Bruksel diçka që ka kërcitur, u shpreh Rama, siç kërcet një derë e vjetër në sallë kur luhet një koncert, ka qenë ndërhyrja e gazetares Erisa Zykaj.
Rama i cilësoi pyetjet e gazetarëve – nëse ndjeu apo jo përgjegjësi ndaj kërkesës së zyrtarëve europianë për kandidatë me integritet – këngë të padurueshme.
“Nuk duhet të bëhemi pre e gjithë kësaj balte ku zhysim përditë njëri-tjetrin sepse kanë kaluar në plan të dytë, të tretë dhe të fundit ata që bëjnë ligjet. Janë njerëz të nderuar dhe respektuar. Kush e bëri reformën në drejtësi? Kush o ka bërë të gjitha reformat? Çfarë do me thënë kjo? Është e tepërt. Nuk kam fjalë për këtë”, – vijoi Rama.
Kreu i qeverisë mëshoi se ka një ligj që merret me rregullimin e kësaj problematike.