Kryeministri Edi Rama u përpoq gjatë gjithë konferencës së sotme me kryediplomaten e BE, Federica Mogherini të tregojë se arritja më e madhe është marrja e rekomandimit, më shumë sesa votimi nga vendet anëtare.
Për të treguar se sa e madhe është arritja, ai tha se Komisioni Evropian është i pamërshëm kur jep vlerësimet.
“Është gjëja më e lehtë që të nxirren bishta dhe të nxirren alibi dhe të krijohen pseudoargumente përballë faktit që Shqipëria i ka bërë një për një detyrat e shtëpisë dhe e ka marrë dëftesën nga Komisioni më i pamëshirshëm i provimeve që ekziston në Europë, Komisioni Europian, që nuk bën dhurata, nuk ka lidhje fare me asnjë lloj ndjeje bujarie, por që shikon një për një detyrat dhe zbatimin e detyrave. Pra në këtë aspekt ne e kemi bërë detyrën tonë, tani jemi në fushën e politikës, interesave, lojërave, fijeve e kështu me radhë, në një Europë që nuk jeton momentin e vet më të mirë në raport me erërat e zgjerimit. Shqipëria sot nuk është ajo që ishte dje. Ne sot jo vetëm që jemi gati, por ne sot hyjmë në një fazë të re të përgatitjeve për tu ulur në tryezën e negociatave. Përpjekje për të na vonuar, për të na penguar, jo për arsyen tonë do të ketë patjetër në këtë proces, por ne do t’i kalojmë të gjitha”, tha Rama.
Etiketimin si “i pamëshirshëm” nga Rama të punës së Komisioni Europian, shefja e diplomacisë evropiane tha se nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë, por nuk e merrte personale.
“Së pari më lini t’ju them se nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë fjalën ‘e pamëshirshme’ kur bëhet fjalë për punën time. Flasim për një makineri, nuk e marr personale, thjeshtë për të theksuar se mund ta quani të mbështetur në meritë, mund ta quani të rreptë, ky është procesi që është zhvilluar. Dhe natyrisht ka qenë i rreptë apo i pamëshirshëm, mund ta quani si të doni, por ka qenë i mbështetur mbi kritere shumë të qarta dhe një vlerësim mjaft i rreptë teknik”, tha Federica Mogherini.