Pasi i refuzoi ftesën për takim në Presidencë, kryeministri Edi Rama tha se Ilir Meta ka marrë drejtimin e opozitës. Deklaratën e tij Rama e bëri gjatë një takimi me banorë të njësisë nr.4 në kryeqytet.
“Harxhojmë energji të madhe për pengesat. Njësoj si zgjedhjet, duhet të bësh edhe zgjedhjet dhe të luftosh edhe me penguesit e zgjedhjeve. Presidenti ka marrë drejtimin e opozitës, dështon Luli ndërhyn Iliri. Është fatkeqësi e madhe për institucionin, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Erdhi dita që edhe Bujar Nishani të bëhet si Xhefersoni. Ky thotë hapni vendin se do të hidhem. I hodhi benzinë zjarrit me marrëzinë e çfirmosjes, ju dha motiv dhe këtyre që thonë do të respektojmë dekretin. Sot e ka marrë përgjigjen shumë të qartë dhe nga Kolegji Zgjedhor, është gjykata që vendos dhe është pa të drejtë ankimimi. Vulos zgjedhjet”, u shpreh Rama.
Sadri Abazi: Mbase sot bisedon me Lulin për datë të re zgjeshjesh…
Edi Rama: Mund të bëjë çfarë të dojë, por është nul. Kur e lexon Kushetutën në filxhan.
Qytetari: Nëse shpërndan parlamentin?
Edi Rama: Mund të marrë vendim t’i shpallë luftës BE dhe SHBA. Problemi me këtë është se u çmendën të gjithë përnjëherë. U çmend Tan Ceka, iku fare ai.
Kreu i qeverisë iu përgjigj negativisht mbrëmjen e kaluar ftesës së Metës për takim në Presidencë. Kreu i shtetit tha se do jetë në zyrën e tij nga ora 05:00 e deri në 13:00, në pritje të kryeministrit, ndërsa përgjigjja e Ramës ishte se nuk kishte kohë për shkak të fushatës elektorale.