Kryeministri Edi Rama, në një dalje Live në Facebook, të cilën e cilësoi të fundit sa i takon luftës ndaj Covid-19, tha se virusi ende nuk ka ikur por kjo do të jetë java e fundit e kufizimeve në vendin tonë.
Rama tha se çdo gjë do të jetë e hapur si më parë, ndalime do të ketë për dasmat, ceremonitë mortore dhe plazhet, ndërsa shtoi se do të ketë njoftim në vijim si do të procedohet më tej në këto raste.
Kryeministri theksoi se shifrat e fundit në Tiranë nuk janë të mira. Sipas tij, shkak janë turmat e njerëzve për atë që ai e quan ‘karakatinën’ e Teatrit, apo aktivitetet e Opozitës me njerëz, që sipas tij, po sfidojnë shëndetin e qytetarëve.
“Shfaqjet politike me turma pa asnjë lloj mase por përkundrazi me karshillëk që flet për papërgjegjshmëri, dhe në rastin më të keq për dritëshkurtësi, po vijojnë edhe përtej të 3-tave të karakatinës së Teatrit.”-tha Rama.
Ai ironozoi aktivistët, në aksionin që po bëjnë për mbledhjen e firmave, dhe i quajti pseudoartistë.
Gjatë daljes së fundit për koronavirusin, kreu i qeverisë shprehu falenderime të veçanta për mjekët dhe infermierët, teksa u shpreh se bënë krenarë shqiptarët dhe Shqipërinë, duke u treguar jo vetëm heronj të vërtetë, por edhe profesionistë.
“Sjellja individuale e secilit nuk duhet të jetë si më parë, sepse një valë e re infeksioni ndoshta dhe më agresive se e mëparshjma, do të jetë e pashmangshme.”-tha Rama.
Ai bëri të ditur se edhe kjo fundjavë do jetë me kufizime që do të bëhen të ditura të premten.