Aktualitet

Rama ka humbur qetësinë, dhunë ndaj të rinjve paqësorë








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:00 - 14/12/20 |
mapo.al

Policia ka ushtruar dje dhunë të pajustifikuar ndaj protestuesve paqësorë që kishin dalë për të kërkuar dorëheqjen e drejtorit të policisë Ardi Veliu. Me një veprim të papritur, kur gjithçka u mendua se do mbyllej paqësisht, policia u lëshua me gjithë egërsinë ndaj protestuesve, duke hedhur sasi të mëdha gazi lotsjellës ndaj tyre.



Protestuesit ditën e djeshme mbështeteshin dhe nga qytetarë të shumtë të Tiranës. Regjisori Edmond Budina, një ndër dëshmitarët e asaj çka ndodhi tha për MAPO se egërsia e policisë ishte e pajustifikuar.


Nga një vëzhgim i gazetës rezulton se nuk janë të pakët dhe qytetarët kryesisht të rinj, me bindje të majta që mbështesin protestën. Orë pas ore çfarë ndodhi në ditën e pestë të protestës, e cila ka tronditur qeverinë dhe ka bërë kryeministrin të humbasë qetësinë.




Përqendrimi jo i zakontë i forcave policore në qendër të Tiranës, dhe përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nuk i ndaloi të rinjtë, të mbështetur dhe nga qytetarët që të dilnin në ditën e pestë të protestës.



Këtë herë paqësore, me thirrje për ikjen e Ramës, apo dhe të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu.


Por, paqes së protestuesve do ishte pushteti që do i përgjigjej me dhunë, gaz lotsjellës dhe me dhjetëra të shoqëruar.

Atyre që ishin dëshmitarë në atë demonstrim, nuk kish si mos u bënte përshtypje numri i pazakontë i forcave të policisë.

Një armatë e tërë punonjësish të shtetit që ishin përqendruar përgjatë gjithë gjatësisë së bulevardit.

Dukej sikur në këta shtatë vjet qeverisje, qeveria të vetmen gjë që ka bërë ka qenë blerja e pajisjeve policore, për të shtypur protestat.

Gazi lotsjellës

Nga sheshi “Skënderbej” ku u grumbulluan dhe përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, protesta do ishte e qetë ashtu siç e kanë kërkuar në vazhdimësi spin doktorët e pushtetit mediatik.

Më pas turma e protestuesve do të drejtohej në unazë përgjatë shallvareve, për të shkuar te Drejtoria e Policisë.

Asgjë e thyer. Përveç fjalëve ose thirrjeve që hidhnin kundër qeverisë, ata nuk kërcënonin me asgjë tjetër.

Vargu i makinave që kish mbushur rrugën, i binte borive në shenjë përshëndetëse që dukej se dhe ata që nuk ishin në atë marshim përkrahnin protestën.

Në hyrjen te Drejtoria e Policisë së Tiranës ishin rreshtuar forcat speciale.

Të tilla në fakt kishte kudo, te Kryeministria, Ministria e Brendshme madje dhe te selia e Partisë Socialiste, ishte mbushur me forca speciale.

Të rreshtuar në hyrje të drejtorisë së policisë, sapo turma ndaloi, pa hedhur parullën e parë makina e ujit do vepronte.

Më tej nga matanë Lanës, një grup tjetër i specialeve hodhën me pushkë në mes të turmës granatën e parë të gazit lotsjellës.

Turma filloi të vraponte dhe u nda më dysh. Një pjesë ikën në drejtim të sheshit Willson, dhe pjesa tjetër në unazë nga kishin ardhur.

Askush nuk e kuptoi këtë veprim të policisë, i cili ngjalli jo pak indinjatë. Më pas turma e policisë të pajisur me kundërgaz filloi ndjekjen e protestuesve.

Një djali jo më shumë se 17 vjeç afër nesh i filluan të vjellat. Dy vajza iu afruan shpejt me ujë dhe se nga sajuan dhe një shishe qumësht të cilët ia jepnin të riut që shkumëzonte.

Ngado dëgjoheshin gulçimat e njerëzve që nuk arrinin të mbusheshin me frymë. Njerëz të ulur përmbys që sikur shkulnin mushkëritë nën pushtetin e gazit.

Viktima të gazit lotsjellës u bënë dhe banorët e pallateve aty pranë të cilët u detyruan të lënë shtëpitë me gjithë fëmijë për të dalë jashtë.

Vendi dukej si një zonë lufte. E njëjta situatë ishte dhe tek ish-blloku, ku viktimë e gazit ranë klientët e lokaleve apo njësitë e tjera të shërbimit.

Shumë shpejt kjo pjesë e Tiranës, u kthye në një zonë helmuese.

Budina: Janë të etur për gjak

Protestuesit u kthyen dhe një herë në sheshin “Skënderbej” aty ku kishte filluar protesta.

Në fakt provokimet e policisë aty kishin filluar që në vigjilje të saj, ku aktivistë si Genc Sejko apo anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kundërshtuan praninë e forcave policore dhe thirrjet e tyre për t’u shpërndarë.

Protestuesit erdhën në dy grupe, të parët ishin ata që kishin mbetur në unazë dhe të dytët, protestuesit që ishin bllokuar tek ish-blloku.

Përgjatë gjithë kohës shikohej prania e policisë që shoqëronte protestuesit. Feksja e helmetave të tyre dallohej që larg.

Artisti Edmond Budina pjesëmarrës në protestë i pyetur nga MAPO në lidhje me veprimin e policisë do shprehej se ky është një pushtet i etur për gjak, që ushtron dhunë ndaj njerëzve që protestojnë në mënyrë paqësore.

“Ç’të them, njerëzit protestojnë në mënyrë paqësore, dhe kriminelët hedhin menjëherë gaz. Ata as nuk prishën, as trazuan, por kriminelët kriminelë janë veç dhunë e gjak duan.

Këta janë të etur për gjak”, na thotë aktori ndër më aktivët në mbrojtje të kauzës së teatrit, dhe që prej më shumë se dy vjetësh nuk ka munguar në asnjë protestë.

Sheshi “Skënderbej”

Skenat e dhunës në sheshin “Skënderbej” do ripërsëriteshin, sapo policia pa grumbullimin e protestuesve.

Nuk ishin hedhur më shumë se dy apo tre nga parullat e zakonshme, dhe sërish në qiell nga krahu i Monumentit të heroit kombëtar u shfaq bomba e parë e gazit, që u pasua nga disa të tjera.

Rrëmuja që pasoi ishte e paimagjinueshme. Njerëz që rrëzoheshin në përpjekje për t’i shpëtuar djegies së syve dhe mushkërive dhe policia e shndërruar tashmë në gjahtare që vraponte pas tyre.

Në krahun e pallatit të kulturës një skuadër e repartit Shqiponja, u vu në ndjekje të nja dhjetë apo pesëmbëdhjetë çunakëve të cilët ikën me vrap në errësirën e lulishtes mbrapa ish-hotel Vjosës.

Pjesa tjetër u largua drejt rrugës së Durrësit të ndjekur nga FNSH, e cila shoqërohej nga thirrjet e njerëzve të rastësishëm “Kriminelë”, “Po mbroni Hajdutët” e të tjera si këto.

Ky do ishte dhe episodi i fundit i protestës.

Revolta e FRESSH-it

Protesta mbaroi, por egërsia e policisë mbeti enigmë në mendjet e atyre djaloshëve. Ndoshta ishte hera e parë që ata përballeshin me një veprim të tillë.

Gjëja që ata kuptuan ishte ajo çka ata më të rriturit e kanë kuptuar me kohë. Rilindja dhe pushteti aktual, nuk e duan lirinë.

Ata duan që të dëgjohet vetëm ajo çka për të thënë Rama në ERTV e tij. Për sukseset imagjinare dhe arritjet në 3d, por jo për varfërinë që është ulur këmbëkryq në vatrat e tyre.

Jo për mërzinë e baballarëve që në fund të ditës nuk kanë se me çfarë t’i plotësojnë nevojat e familjes.

Ata të rinj e ndiejnë këtë në rrashtë, çdo ditë që sa zgjohen. Dhe më mirë se gjithçka, se çdo fjalë e thënë apo e shkruar, do e përshkruante situatën një i ri rreth të 25-ve, afër nesh në përfundim të protestës.

Na tregoi se rrjedh nga familje e majtë, dhe ka qenë jo pak aktiv në FRESSH, e megjithatë dje nuk mungoi në protestë.

“Përfundimisht këta janë monstra! Janë shenja të humbjes, dhe ky që është në qeveri nuk ka për të fituar më.

Është dita e parë që dal në protestë dhe e pashë me sytë e mi s’ka nevojë të ma thotë kush se çfarë po ndodh”, na shprehet djaloshi që nuk pranoi të identifikohet me emër, teksa mori rrugën e shtëpisë diku nga Myslym Shyri.

*Fotografia e realizuar gjatë protestës, nga fotografi Florion Goga për Reuters

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas