fbpx

Kryesore

‘Rama ka kuptim të çuditshëm për demokracinë’: RpK reagon për BILD





               Publikuar në : 19:16 - 28/06/19 |
mapo.al

Organizatat më të mëdha në botë për mbrojtjen e lirisë së medias kanë reaguar pas deklaratës së kryeministrit shqiptar, Edi Rama, se ka ndërmend të padisë gazetën gjermane, BILD. Më poshtë deklarata e plotë nga Reporterët pa Kufij:


Reporterët pa Kufij (RpK) dhe Qendra Europiane për Lirinë e Medias (QELM) dënojnë sjelljen e kryeministrit Edi Rama, i cili ka kërcënuar shefin e politikës në gazetën Bild, Peter Tiede, me pasoja ligjore. Gazeta publikoi më 5 qershor një artikull online, duke akuzuar shefin e qeverisë se ka blerë vota në zgjedhjet e vitit 2017 me paratë e mafias. BILD e dëshmon këtë me përgjime telefonike, që dokumentojnë implikimin e qeverisë me mafian. Sipas gazetës BILD, autenticiteti i këtyre përgjimeve është i sigurt. Rama njoftoi se do të padisë gazetarin Tiede në një gjykatë gjermane. Ai argumentoi se në Gjermani, dinjiteti i popullit dhe shtetit respektohet pasi drejtësia nuk bën lojëra.



Në një postim të martën në Twitter, Rama thotë se ka angazhuar avokatin gjerman të mediave, Matthias Prinz. Më tej theksohet: “Gjykata gjermane duhet të vendosë se kush ka të drejtë dhe kush nuk ka. Unë e bëj këtë sepse njerëzit e Shqipërisë meritojnë të vërtetën, të thënë nga gjykata e një vendi të çmuar”. Gazetari i BILD iu përgjigj me një pyetje: “Për çfarë më akuzoni- që kam publikuar përgjime të vërteta?”


“Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka një kuptim të çuditshëm për demokracinë dhe të drejtat e njeriut,” tha drejtori i “Reporterëve pa kufij”, Christian Mihr. “Detyra e medias është që të kontrollojë të pushtetshmit. Pikërisht këtë gjë ka bërë gazeta BILD, e cila e ka mbështetur në burime investigimin e saj. Këto janë themelet e medias së lirë, të cilat i kemi ankoruar si një bashkësi vlerash në Bashkimin Eujropian. Një vend, që dëshiron të bëhet pjesë e këtij komuniteti, duhet të respektojë këto vlera,” vazhdoi Mihr.

“Në vend që të ndërmarrë veprime ligjore kundër gazetarëve, kryeministri Edi Rama duhet të punojë për të përmirësuar lirinë e medias në vend dhe të mos i quajë gazetarët ‘kazan’,” komentoi Flutura Kusari, këshilltarja ligjore e Qendrës Europiane për Lirinë e Medias.

Shqipëria si Maqedonia e Veriut, po kërkon pranimin në BE. Megjithatë, Brukseli shtyu hapjen e negociatave të pranimit. Mijëra njerëz në Shqipëri kanë dalë në rrugë për javë të tëra për të protestuar kundër qeverisë së korruptuar. Protestat u ndezën nga publikimi i regjistrimeve telefonike. Përgjimet janë marrë nga dosjet e prokurorisë, si pjesë e hetimeve të antimafias në vitet 2016 dhe 2017. Ajo i mbajti sekret në fillim dhe reagoi vetëm pasi u bënë publike në gazetën BILD. Deri tani, megjithatë, nuk është ngritur asnjë padi për manipulim zgjedhor, iu përgjigj Prokuroria e Përgjithshme një kërkese të Deutsche Welle.

Opozita ka bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit, Partia Socialiste e të cilit është nën presion të mëtejshëm në funksion të zgjedhjeve lokale të dielën e 30 qershorit. Vetëm javën e kaluar, përfaqësuesit e Reporterëve pa Kufij, Qendrës Europiane për Lirinë e Medis, Artikullit 19, Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Federatës Europiane të Gazetarëve, Institutit Ndërkombëtar të Shtypit dhe Organizatës së Medias në Europën Juglindore u kthyen nga një vizitë katërditore në Shqipëri. Ata u takuan me profesionistë të medias, përfaqësues të shoqërisë civile, por edhe me anëtarë të qeverisë, përfshi kryeministrin Edi Rama.

Aty u bë e qartë se situata e lirisë së medias në Shqipëri është përkeqësuar: sulmet e fundit ndaj gazetarëve nuk kanë sjellë reagime; politikanët kryesorë fyejnë dhe shpifin ndaj medias; institucionet zyrtare, duke përfshirë zyrën e kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, nuk janë transparentë dhe refuzojnë aksesin e gazetarëve kritikë.

Edi Rama i tha delegacionit se ai nuk do të iniciojë procedura penale kundër gazetarëve, por do të vazhdojë me paditë civile për shpifje për rastet ekstreme ndaj gazetarëve.

Vetëm kohët e fundit, qeveria ka propozuar ligje të reja për rregullimin e mediave, që lejojnë dënime drakoniane për mediat shqiptare dhe të huaja online. Shqipëria renditet në vendin e 82-të nga 180 vende në renditjen e lirisë së medias.


Etiketa: , , , ,

Pas