Në konferencë përballë gazetarëve, kryeministri Edi Rama u pyet nëse partnerët ndërkombëtar janë duke bërë përpjekje për fillimin e dialogut midis tij dhe kryeopozitarit Lulzim Basha. Përgjigjja e kryeministrit ishte e shkurtër: “Jo”. Gjithsesi, Rama u shpreh i gatshëm për t’u ulur në dialog me opozitën por duke theksuar se zgjedhje vendore nuk do të perseriten.
Pyetje: Zgjedhjet e 30 qershorit kaluan ndërsa pohuat se nuk ka asnjë iniciativë të ndërkombëtarëve për të pasur një komunikim mes jush dhe Bashës. Por ndërkohë a ka një urë komunikimi mes jush dhe Bashës drejtpërdrejt? Si do të vazhdohet?
Edi Rama: Ne e kemi dhënë qëndrimin, unë e kam përsëritur pozicionin, jemi të gatshëm të dialogojmë në çdo moment me opozitën jashtë parlamentare, por nuk jemi të gatshëm të negociojmë asgjë që lidhet me vullnetin e popullit të shprehur me votë. Unë nuk jam i gatshëm që të harxhoj kohën time dhe të njerëzve me këtë muhabet çdo ditë sepse me të drejtë çdo njeri i zakonshëm i këtij vendi, duke më dëgjuar edhe mua, mund të thotë ik se na rrokanisët kokën që të gjithë.
Ka shumë gjëra më të rëndësishme dhe shumë detyra më të rëndësishme për mua sot sesa të pres Lul Bashën apo Monika Kryemadhin apo këdo qoftë tjetër. Pas 30 qershorit, ne kemi marrë një barrë që mua më ka hequr përfundimisht mundësinë e atij pak gjumi që bëja më përpara.