Një ditë pasi u shpreh se vaksinimi anti-COVID në Shqipëri do të nisë brenda muajit janar, kryeministri Edi Rama njoftoi sot në Twitter se qeveria ka dakordësuar në parim marrëveshjen me kompaninë Pfizer.
“Ia dolëm me diplomaci dhe këmbëngulje“, thekson Rama. “Kemi dakordësuar në parim pas kontaktesh intensive nga të katër anët, tekstin e marrëveshjes me Pfizer për të nisur vaksinimin në janar!”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë sulmon sërish BE-në për diferencim të Ballkanit, pasi u lanë jashtë bllokut të 27 vendeve, ku ka nisur vaksinimi prej 25 dhjetorit.
“I papranueshëm moralisht, polikisht, logjikisht diferencimi që BE-ja i bëri Ballkanit po ia dolëm sidoqoftë me diplomaci e me këmbëngulje të mos mbetemi mbrapa askujt. Dhe nuk do të ndalemi deri në sigurimin e dozës së fundit. Fjalët mbrapsht atyre që vazhduan me sharje e akuza!“.
Postimi në Twitter
“Në kushtet skajshmërisht të vështira si pasojë e kërkesës globale marramendëse dhe sasisë ende tejet të vogël të prodhimit, kemi dakordësuar në parim pas kontaktesh intensive nga të katër anët, tekstin e marrëveshjes me Pfizer për të nisur vaksinimin në janar!
I papranueshëm moralisht, polikisht, logjikisht diferencimi që BE-ja i bëri Ballkanit po ia dolëm sidoqoftë me diplomaci e me këmbëngulje të mos mbetemi mbrapa askujt. Dhe nuk do të ndalemi deri në sigurimin e dozës së fundit. Fjalët mbrapsht atyre që vazhduan me sharje e akuza!“.