Në Fier pritet të ndërtohet fabrika e kompanisë koreano-jugore “Yura Corporation” që do të prodhojë pjesë këmbimi për automjetet. I pranishëm në inaugurim, Kryeministri Edi Rama tha se ky investim i huaj me vlerë 13 milionë euro do të hapë mbi 1 mijë vende pune.
Shqipëria është vendi i dytë në Europë pas Polonisë, ku kompania prestigjioze nga Koreja e Jugut zgjodhi të investojë.
“Ajo që më bën të ndihem i inkurajuar për faktin se e kemi hapur këtë sipar me një kompani vërtetë prestigjioze, është se Yura ka pasur një sërë zgjedhjesh për të investuar në Europë dhe mes këtyre ka zgjedhur të çelë një filial në Poloni dhe një në Shqipëri. E dimë shumë mirë se kur flasim për Poloninë flasim për një ligë tjetër shtetesh të dala nga komunizmi por me një nivel zhvillimi dhe pranueshmërie të investimeve të huaja të pakrahasueshme në Shqipëri”, u shpreh Kryeministri Rama.