Kryeministri Edi Rama publikoi vendimet e Këshillit të Ministrave në një konferencë për shtyp paraditen e së mërkurës.
Kryeministri Edi Rama tha se karta e studentit, një çështje që ka qenë në vëmendjen e tij prej kohës kur ishte Kryetar i Bashkisë Tiranë, por që ka qenë një premtim legjendar i të gjithëve, do të jetë funksionale në fund të vitit 2019 dhe se po punohet për përfshirjen e saj në kartën e studentëve europianë.
“Për këtë qëllim kemi nisur një proces me Komisionin Europian, sepse mendojmë se përfshirja në këtë rrjet i jep përmbajtje serioze kartës”, tha Rama. “Të jemi realist, nuk është karta që i ka penguar studentët të shkojnë në teatër, apo bibliotekë, apo muze. Po punojmë për përfshirjen e Shqipërisë në rrjetin e vendeve që marrin kartë studentore europiane”.
Rama publikon vendimet: Kemi shkuar përtej kërkesave të studentëve
Kryeministri tha se gjuha angleze do jetë shumë e rëndësishme, ndaj premtoi kurse anglishteje falas nëpër universitete.
“Do jetë një nga kushtet që do përcaktojnë marrëdhëniet tuaja me shtetin dhe diplomën. S’mund të përjashtojmë gjuhët e huaja dhe të bëjmë protesta për të kërkuar biblioteka shkencore. Do t’ju ofrojmë kushte anglishteje falas. Dhe anglishtja do hyjë te kushtet për të marrë mbështetje nga shteti. Nuk jemi duke shkuar drejt 1945, por drejt 2045”, tha Rama.
‘Do ta udhëheq protestën, ligji i arsimit të lartë nuk ndryshon, as buxheti’
Rama u zotua se do e ndryshojë administratën me studentët e ekselencës. “Me studentët më të mirë do bëjmë histori për reformimin e administratës”, tha Rama.
“Sot për sot studentët më të mirë kanë pengesë, pasi u thuhet se nuk ke eksperiencë, por si krijohet eksperienca, por për të kapërcyer këtë dhe për t’ú dhënë një mesazh të gjithëve dhe për të zmbrapsur një lëvizje në kufijtë e ligjshmërisë do të bëjmë publike në vijim vendet e lira në administratë”.
Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama, deklaroi në një komunikim “live” në “Facebook” se, 1000 studentë ekselentë do të fitojnë në mënyrë të menjëhershme vendin e punës në administratë. Ai cilësoi se punësimi i tyre do të jetë pa konkurs, vetëm me meritën e notave. Nëse deri më tani, në shumicën e vendeve të lira në administratë alternoheshin po ata punonjës që ishin brenda sistemit, një vendim i fundit i qeverisë, hap rrugën për t’u bërë pjesë e administratës çdo kandidat jashtë saj, që plotëson disa kritere të parashikuara në ligje dhe vendime, sipas profilit të punës.
Bëhet fjalë vendimin e qeverisë nr. 746, datë 19.12.2018, i cili ndryshon vendimin nr. 243, datë 18.3.2015, për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive. Vendimi ndryshon pikën 10 të kapitullit dy të vendimit në fuqi, për procedurat e pranimit në administratë. Pika 10 e ndryshuar përcakton që shpallja e procedurës për pranimin në administratë është e hapur për të gjithë kandidatët nga jashtë shërbimit civil.