Kryeministri Edi Rama u shpreh sot pas mbledhjes me shtabin elektoral, se janë drejtuesit politik në qarqe që do të plotësojnë listën me kandidatët për deputetë të PS në zgjedhjet e 25 prillit.
Rama tha se është përgjegjësia e tyre për të sjellë emrat, dhe shtoi se procesi brenda PS ka sjellë prurje të reja.
I pyetur për koalicionet parazgjedhore, Rama u shpreh se sistemi në fuqi parashikon që çdo parti garon me simbolin e saj dhe skuadrën, ose bën koalicion me skuadër të përbashkët me një simbol.
Ne, tha Rama, kemi koalicion me qytetarët, ndërsa ironizoi kundërshtarët kur u shpreh se andej nga pala tjetër po del një hibrid i pangrenshëm, i pagëlltitshëm, i patretshëm.
Kryeministri sulmoi sërish presidentin Meta, që sipas tij po e shfrytëzon postin e kreut të shtetit për të bërë propagandë kundër qeverisë, e në shërbim të ndërmarrjes së tij LSI, siç e cilëson, që drejtohet nga e shoqja.
I pyetur për kërkesën e Opozitës për shtyrjen e afatit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, Rama duket se ra dakort, duke u shprehur se kjo është një gjë që bën sens.