Aktualitet

Rama luan “I love Tropoja” te Fevziu,  Ergys Mërtiri: Shshshshsh… Thththth… Brrrrrrrrrrr…














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:42 - 15/02/20 |
mapo.al

Nga Ergys Mërtiri






Ti më merr te keqen! Ti bën atë që s’thuhet! Të të vijë turp! Unë kujtova se ishe ndonjë njeri i mençur! Ku i ke gjetur këta o Fevzi?!


Këto ishin disa nga frazat, pasthirrmat apo eufemizmat e zhargonit retorik të Kryeministrit të Shqipërisë, në studion televizive më të ndjekur në vend, gjatë një përballjeje me gazetarët. Këto ishin arsenali kryesor i “argumenteve” të tij, në mbështetje të asaj që bën në krye të qeverisë. Thuajse i gjithë emisioni kaloi me etiketime, përqeshje, tallje, fyerje dhe zhurmë, të bërtitura pa kuptim, pa lënë mundësi që të përmbyllet qoftë edhe një mendim i vetëm.







Qëllimi i vetëm i z. Rama ishte i dukshëm; të prodhojë zhurmën, duke u shfaqur ndërkohë si i zhurmuar prej të tjerëve, si viktimë e një gazetarie të paaftë, që njeh vetëm zhurmuesin si instrument debati. Për këtë, mjafton që të mos lejojë të formulohet asnjë fjali kur i drejtohen pyetje, ndërsa ankohet se e ndërpresin, kur ai i etiketon e fyen të pranishmit, gjatë kohës që i duhet të japë përgjigje, duke provokuar ndërhyrjet e tyre.




Kjo është e vetmja mënyrë sesi një kryetar qeverie mund të kalojë pa përgjigje në një situatë kur qeverisja e tij është e zhytur në llucë. E kapur në skandale flagrante që do të mjaftonin për të shpënë në humnerë shumicën dërrmuese të qeverive në Afrikë, Rama gjen mënyrën të kalojë lumin nëpër studio, duke provokuar një kakofoni televizive ku nuk sqarohet dot asgjë. Kjo mbetet e vetmja strategji komunikimi për një qeveri të telendisur publikisht: Të flasë e komunikojë pa thënë dhe pa lejuar të thuhet asgjë.



Mes të tjerash, Kryeministri tha, siç ka thënë edhe herë të tjera se e dashuron gjuhën, duke u ankuar se nuk po e lënë të vendosë një kundrinor përballë kallëzuesit. Në fakt, përtej përpjekjeve për ta dekoruar gjuhën me metafora, batuta e figuracione, arabeskat ligjërimore nuk i japin shije barbarisë komunikative që ai prodhon. Kemi të bëjmë me një tallava retorike ku realisht nuk thuhet asgjë dhe ku nuk ekziston asnjë përmbajtje.

Pjesa tjetër e të gjithë debatit është relativizim absurd i çdo fakti, mohim sy për sy i asaj që është ashiqare dhe manipulim i trashë i të vërtetave që tashmë dihen nga të gjithë. Për Kryeministrin e Shqipërisë, është fare normale që ai të takohet me kriminelë në hotelet e tyre, të zgjedhë dhjetëra njerëz me precedentë penalë në krye të institucioneve përfaqësuese, të ketë shokë të korruptuar, për të cilët ka sinjalizime nga ambasadat e huaja, të mbillet vendi në drogë etj. Të gjitha këto, sipas tij nuk tregojnë asgjë, dhe ai nuk mund të ketë faj pse të tjerët rreth tij, të zgjedhur prej tij, dalin kriminelë dhe ai i mbron, madje edhe kur ka denoncime!

Unë flas çfarë dua unë… takoj kë duan unë… bëj atë çfarë dua unë… nuk i jap llogari askujt… nuk sugjestionohem nga përgjimet… nuk dua t’ia di për publikime të fotove me kriminelë… Pra, Kryeministri nuk mban përgjegjësi për asgjë! Shkurt, është i papërgjegjshëm.

I gjithë debati, ashtu si edhe të tjerë të mëparshëm, ishte një shfaqje bajate, pa asgjë përmbajtësore, një spektakël banal, pa asnjë thelb. Gjithçka ngjan si një produksion komercial i tipit “I love Tropoja”. Në fakt, Edi Rama është 24 orë në rol, dhe bën kudo të njëjtën gjë, në politikën kinematografike që prodhon prej vitesh. Spektakli vetëm sa vjen e bëhet më vulgar, deri në dhembsuri.

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas