Kryeministri Edi Rama ka pralajmëruar masa ekstreme për këdo që shkel ligjin e luftës, duke dalë nga banesa pas orës 13:00. Sipas Ramës policia dhe ushtria do përdorin forcë dhe gaz lotsjellës, për ata që dalin nga banesa.
“Ushtria dhe policia do përdorin forcën, ujin e deri te gazi lotsjellës, nëse është nevoja, duke parë se si një tufë të papërgjegjshmish hapërdahen lart e poshtë pa pikën e turpit. Kush se ka marrë vesh akoma se kjo është një luftë botërore, ku kemi fatkeqësinë të përballemi me një armik të tmerrshëm, do duhet ta marrë vesh me pahir. Kush më shkruan për fukarenjtë se nuk rrinë dot brenda se nuk kanë bukë, të mos bëjnë sikur shqetësohen për fukarenjtë, por ta mbledhë mendjen top, se sot nuk kërcënohemi për shkak të urisë, por për shkak të marrëzisë. Fukarenjtë nuk kanë iphone dhe nuk kanë dëngla për të shitur në rrjetet sociale.
Mos luani nga vendi, nuk do të tolerojmë më askënd. Do të përgjigjemi me të keq për disa që nuk marrin vesh. Në Itali po vdes një njeriu çdo dy minuta dhe mos më thoni boll, se nuk ndahem duke iu treguar se cfarë katastrofe na gjen nesër, po nuk e ndamë mendjen sot. Mijëra nga ju le të tërbohen fare nga veprimet e mia sot, se sa qindra e mijëra të vdekur nga ne nesër, pas dy apo tre javësh. S’ka shans mirëkuptimi për këtë dhe me këta ka vetëm forcë ligjore e policore deri në fund. Kroatët do bëjnë spital dhe stadiumin. Imagjinoni sikur edhe ne të përdorim “Air Albania” vetëm për disa të pabindur”, tha Rama në një komunikim live.
Postimi i Ramës:
🔴 NGA TANI, E SHTUNË, ORA 13.00, DERI TË HËNEN, ORA 05.00, TË GJITHË NË SHTËPI!
🔴 KUSH NUK DO TË DËGJOJË, LE TA PROVOJË DHE DO TA SHIKOJË SE SI MEQË NUK MERR VESH ME TË MIRË, DO TA MËSOJË ME PAHIR!
🔴 NJË PAKICË E VOGËL FARE, PO MËSE E MJAFTUESHME PËR TË NA ÇUAR DREJT NJË KATASTROFE KOMBËTARE, NUK MUND TË HEDHË NË PLEHRA REZISTENCËN E MADHE POPULLORE QË 99% E SHQIPTARËVE PO E BËJNË MREKULLISHT!
🔴 NJË TUFE TË PABINDURISH, TRADHËTARË LUFTE QË PËRHAPEN RRUGËVE SI VIRUS SHOQËROR, PËR T’U KTHYER NË BAZA USHTARAKE TË ARMIKUT QË BOMBARDON PËRMES TYRE, DO T’I PËRGJIGJEMI ME GJUHËN E FORCËS LIGJORE E POLICORE👊
🔴 KËTË LUFTË DO TA ÇOJMË DERI NË FUND ME ÇDO ÇMIM E ÇDO MJET, SI NJË FAMILJE E VETME DHE PA ASNJË TOLERANCË PËR TRADHËTARËT MES NESH🇦🇱