Aktualitet

Rama-Meta, 20 vite dashuri-urrejtje














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:24 - 09/06/21 |
Blerina Gjoka

Kryeministri Edi Rama u kthye dje nga një udhëtim në Hungari e Bullgari për të mos humbur seancën parlamentare ku do të votohej shkarkimi nga detyra i presidentit Ilir Meta me të cilin në 20 vitet e karrierës së tij politike kishte kaluar nga miqësia në armiqësi disa herë. Nuk ka në historinë e këtyre 30-viteve histori të ngjashme si ajo e dy protagonistëve të djeshëm.






Në vitin 2001 kur Meta ishte kryeministër dhe Rama kryetar i Bashkisë Tiranë ata ishin bashkëpunëtorë brenda së njëjtës parti. Më vonë në vitin 2006 ata u bënë aleatë kur Rama drejtonte PS-në dhe Meta LSI-në për t’u ndarë keq në vitin 2009, kohë kur Meta pranoi të bashkëqeveriste me Sali Berishën.


Por, pa kaluar akoma 4 vite, kreu i LSI-së, që kishte aspiruar dikur pa sukses të merrte partinë që sot drejton Rama, u kthye në miqësinë e hershme edhe pse për t’u ribashkuar duhet të kalonin mbi 4 viktimat e 21 janarit 2011. Kjo ishte dita e protestës së dhunshme të opozitës së drejtuar nga Rama përballë Kryeministrisë, ku nga plumbat e Gardës së Republikës u vranë 4 protestues të opozitës.





Protesta ishte e nxitur pikërisht nga një video ku shfaqej Ilir Meta, në atë kohë zv/kryeministër i qeverisë “Berisha” duke bërë pazare korruptive. Por Rama kuptoi shpejt se pa ish-socialistin nuk do të vinte dot në pushtet dhe më 1 prill 2013, pas një darke private mes tyre, u deklarua aleanca e re që mëtonte të risillte të majtën sërish në qeverisje, gjë që ndodhi disa muaj më vonë në qershor të atij viti.



Një dashuri e re që nuk zgjati. Pa kaluar as 4 vite bashkëjetese, Rama si kryeministër dhe Meta si kryetar i Kuvendit,  marrëdhënia e tyre u kris përsëri, kur Rama shkarkoi ministrin e LSI-së, Ylli Manjanin.  Aleanca vijoi për incerci dhe disa muaj deri në fund të mandatit.



Pak para zgjedhjeve të vitit 2017, kur opozita ishte jashtë Kuvendit dhe po kërcënonte që nuk do merrte pjesë në zgjedhjet e atij qershori pa garancitë e duhura që nuk do të blihen votat, Rama bën një lëvizje të papritur dhe propozon aleatin me të cilin ishin ftohur tashmë për President të Republikës. Ky propozim u komentua si një lëvizje e menduar mirë nga Rama për ta nxjerrë Metën nga politika duke e bërë kryetar shteti, për disa të tjerë ishte një premtim i bërë më herët mes tyre, po gjithsesi edhe ky bashkim i ri mes tyre kaloi në një darkë private tek pazari i ri.

Lexo edhe :  Gazetarët s'do ndjekin live punimet e Kuvendit, Meta: Akt i papranueshëm

Në 27 prill 2017 Ilir Meta nuk shfaqi lumturinë që do të duhej të kishte një njeri kur merr detyrën më të lartë politike në karrierën e tij. Dukej sikur ai e dinte se pas kësaj mbështetje që i kishte dhënë Rama marrëdhënia e tyre do të merrte tatëpjetën shumë shpejt. Vetëm pak javë më vonë Rama bën marrëveshje me kryeopozitarin Basha dhe e bind të futet në zgjedhje me qeveri teknike dhe pa koalicione. Kësisoj partia që Meta kishte krijuar dhe drejtuar prej shumë vitesh duke e bërë “kingmaker” të politikës do të garonte vetëm dhe e sulmuar nga të dyja palët.

Rama e akuzoi Metën se kishte dashur të hante në tepsinë e pushtetit duke i faturuar atij çdo kosto të qeverisjes së përbashkët. Meta nuk e përfilli detyrën presidenciale dhe bëri një fushatë agresive para se të merrte zyrtarisht detyrën në korrik 2017. Më pas ai ishte në Presidencë kundërshtari më i fortë i Ramës kryeministër në 4 vitet në vijim. I ktheu pafund ligje dhe në një rast nuk firmosi dekretin për emërimin e ministrit të Jashtëm dhe anuloi me dekret zgjedhjet lokale të qershorit 2019.

Reforma në Drejtësi dhe emërimi i emrave të rinj në institucionet e reja të drejtësisë u bënë një betejë e vazhdueshme mes Presidencës dhe mazhorancës deri madje në një marshim të madh proteste në Bulevard të thirrur nga Meta në marsin e vitit që shkoi.

Ashtu si në fushatën e para 4 viteve edhe në këtë fushatë Meta u angazhua fort kundër Ramës duke i quajtur zgjedhjet si një referendum kundër qeverisjes dhe akuzonte Ramën për afera korruptive, blerja votash, etj…

Votimi i sotëm në Kuvend duket se i ka ndarë një herë e përgjithmonë rrugët e tyre politike, por në filmin që e kemi parë disa herë asnjë shqiptar nuk do të çuditej nëse nesër Rama dhe Meta do të shfaqeshin sërish krah njëri-tjetrit për interesat e tyre politike.

164


Etiketa: , , ,

Pas