Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur naftëtarëve të Ballshit duke thënë se pa u mbyllur greva nuk do të ketë takim. Më herët ishte vetë kreu i qeverisë që përsëriti thirrjen drejtuar grave naftëtare për t’i dhënë fund grevës 14 ditore. Përgjigjja ishte e menjëhershme dhe grevistet i kërkuan kryeministrit të caktonte datën dhe orën e takimit fillimisht.
Por në një reagim të dytë, kryeministri refuzon propozimin e naftëtarëve dhe këmbëngul se pa dalë nga greva, nuk do të ketë bisedime.
“Miqtë e mi jo, më vjen keq po ne nuk do të ulemi dot në tavolinë pa u mbyll greva! Qeveria nuk negocion nën presionin e askujt dhe nuk pranon ultimatume nga askush. Mbyllni grevën dhe do të vij unë tek ju, menjëherë! Ndryshe s’ka bisedime“, shkruan Rama në Twitter.
Greva e urisë e grave naftëtare ka hyrë në ditën e 14-të. Ato zëvendësuan punonjësit burra të uzinës së përpunimit të naftës, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
LEXO EDHE:
Rama: Mbyllni grevën dhe ulemi! Gratë naftëtare: Cakto më parë datën dhe orën e takimit