Kryeministri Edi Rama ka ndarë ditën e sotme mesazhin e futbollistit Lorik Cana i cili bën apel nga shtëpia e tij në Romë që të bëjmë kujdes me higjienën personale, shmangien e grumbullimeve për të evituar përhapjen masive të koronavirusit.
“Përshëndetje nga shtëpia ime në Romë. Disa gjëra të vogla për secilin prej nesh. Kemi detyrë të respektojnë sidomos pjesën e higjienës, të lajmë duart, të evitojmë grumbullimet, në gjendje gripale të qëndrojmë në shtëpi. Studentët që janë pushim, nuk janë pushim por kanë një mision përgjegjësie”, – shprehet Lorik Cana.
Rama thotë se duhet të mbrohemi me maskën e arsyes nga lajmet e rreme që krijojnë pasiguri dhe konfuzion.
“Mesazh i kapitenit legjendar të kuqezinjve, Lorik Cana. Frikë jo, kujdes po! Dhe ju lutem:
Të ruajmë veten dhe njëri-tjetrin duke kufizuar sa më shumë kontaktet fizike! Të lajmë duart sa më shpesh për jo më pak se 20 sekonda! Të kufizojmë daljet dhe uljet nëpër kafene e restorante, vajtjet në palestra, disko e në mjedise të mbyllura me kontakte të shumta! Të mbrohemi me maskën e arsyes nga INFODEMIA – lajmet, kronikat, komentet, debatet që krijojnë konfuzion, pasiguri, shkurajim!”, shkruan Rama.