Kryeministri Edi Rama në komunikim Live përmes Facebook, ka ngritur sërish shqetësimin e përhapjes së koronavirusit përmes kontakteve të atyre që shkelin rregullat. Rama tha se duhet të sillemi të gjithë sikur jemi bartës të virusit, për të parandaluar përhapjen e tij te prindërit dhe të moshuarit, shëndeti i të cilëve mund të rrezikohet seriozisht.
“Sado ndëshkime të kemi, në fund të ditës gjithçka varet nga sjellja e secilit prej nesh. Kjo luftë nuk është kush ia hedh shtetit, por sikush të respektojë rregullat që askush të mos i fusë bombat prindërve në trup.
Një djalë nuk duhet të lëvizte nga njëri qytet në tjetrin, niset nga njëra zonë e vendit se e kishte marrë malli për prindërit dhe dy prindër të moshuar me probleme shëndetësore, i infekton të dy dhe sot prindërit janë të rrezikuar seriozisht. Ça do të thotë kjo? Sidomos në kushtet kur ne po e hapim gradualisht.
Ajo që dëgjoj shpesh është pse nuk lirohemi? Ç’është kjo diktaturë? Patjetër që do të lirohemi hap pas hapi, por në çdo hap qëndron përgjegjshmëria e secilit prej nesh për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Pse nuk dua unë që ta takoj nënën time?
Por unë e zbatoj rregullim sepse besoj se ky rregull mbron mua, familjen time, nënën time, të gjithë të afërmit e mi. Prindërit tanë janë gjëja më e çmuar që kemi, nuk mund t’i rrezikojmë. Ata janë më të rrezikuar nga kjo luftë”, u shpreh Rama.