Editorial

Rama në lupën e Brukselit





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 17:39 - 07/07/20 |
Mapo.al

U bënë muaj tashmë që ka një ndryshim thelbësor të raporteve të Edi Ramës me Europën, dhe të mënyrës se si Brukseli e sheh kryeministrin.


Për shumë vite, ka qënë një habi e madhe se si shefi i rilindjes arriti të sigurojë një mbështetje të gjërë dhe shpesh irracionale, e përmes kësaj, ai qendroi lehtësisht në pushtet dhe mori edhe mandatin e dytë.


Shumë vëzhgues, gazetarë kritikë dhe specialistë, shpreheshin gati të revoltuar se si BE po mbyllte njërin sy para disa fenomeve të patolerueshme, siç ishte përshembull kanabizimi masiv i shtetit, promovimi i personave të inkriminuar, apo kapja një pas një e institucioneve, cënimi i lirisë së medias, dhe se si nën hijen e Brukselit po instalohej një autokraci me tërë përmasat e saj.


Sot, mund të thuhet pa frikë se tabloja gati është përmbysur.


Tashmë, nga BE, nga PPE, nga Berlini, kemi reagime edhe për deklaratat ditore të Ramës.

Kur ai tha se nuk janë 15 kushte për integrimin, përpara nisjes zyrtare të negociatave, eurodeputetët nxituan ta theksojnë, se po, janë 15 kushte, dhe madje i sanksionuan ato në një dokument që u votua me shumicë dërrmuese, edhe nga të majtët në PE.

Sa herë Rama ka ndonjë qendrim, apo ka ne mendje ndonjë akt, menjëherë vjen një reagim europian.

Kjo dëshmon se tashmë, kryeministri është nën një monitorim të rreptë dhe toleranca për të është pothuajse zero.

Siç ndodhi edhe sot me PPE, që është forca më e madhe politike në BE, ku me anë të një deklarate i kujton Ramës që të mos prishë konsensusin e arritur me 5 qershor për reformën zgjedhore, dhe e paralajmëron atë, të mos ndërmarrë veprime të njëanshme, duke i kujtuar disa nga kushtet e integrimit, që kanë të bëjnë pikërisht me votën.

Ky reagim i PPE vjen 2 orë para takimit që kryeministri ka me opozitën parlamentare, me të cilët do të bisedojë rreth iniciativës për ndryshimin e sistemit dhe ndalimin e koalicioneve. Zor se kjo kujtesë, nga Brukseli, është një rastësi.

Rama është prej muajsh tashmë nën lupën e BE-së. Kjo ka ndodhur kryesisht nga arroganca dhe deliri i tij, duke e marrë mbështetjen e partnerëve si të mirëqënë, një herë e përgjithmonë, nga ana tjetër duke thelluar zullumin në vend dhe çuar në skaj deficitin demokratik.

Protestat e opozitës, raportimet e medias më të rëndësishme europiane për krimet elektorale, opinionet e Venecias që e nxorën jo si dashnor të reformës së drejtësisë po si pushtues të saj, dhe qershia mbi tortë, shembja primitive, me dhunë brutale dhe me shpërfillje e Teatrit Kombëtar, kanë sjellë rezultate.

Rama e kaluar pikën e vlimit. Mjafton të rritet vëzhgimi ndaj qeverisjes së tij, dhe çdo ditë, Brukseli do të mund të lëshonte një deklaratë kritike, apo të mbante një qendrim të fortë ndaj tij.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas