Kryesore

Rama: Në shkurt shpallim programin dhe planin kundër vjedhjes së votës






               Publikuar në : 11:32 - 21/01/13 |
mapo.al

“Në ditët e para të muajit shkurt do të dalim përpara shqiptarëve përmes një eventi të posaçëm lidhur me votën për të ardhmen, qoftë në kuptiminedi-rama[1] e programit, qoftë në kuptimin e garancisë që vota për të ardhmen nuk do të kthehet në një votë për të shkuarën nëpërmjet deformimit të procesit zgjedhor.”


 

 

Ne do të ulim shpenzimet duke bërë disa reforma të domosdoshme dhe rrënjësore të shtetit, të mekanizmit të funksionimit të institucioneve në funksion të uljes së shpenzimeve dhe të shpërdorimit të parasë publike

Z. Rama, gjatë paradites së sotme LSI ka deklaruar se ka një marrëveshje të fshehtë PS-PD për ndarjen e mandateve. Po ashtu LSI ka deklaruar se ndarja e mandateve nga Kuvendi është e jashtëligjshme, pasi i takon KQZ për ta bërë këtë. Cili është qëndrimi juaj?

Çdo parti e vogël përpiqet të bëhet e madhe duke akuzuar partitë e mëdha dhe akuza e përbashkët e të gjitha partive të vogla është që mes të mëdhave ka diku një marrëveshje. Në fakt e vërteta është që unë e pres me kënaqësi këtë qëndrim, në rast se është kështu siç thoni ju, sepse është qëndrimi që kanë mbajtur përfaqësuesit tanë në KQZ dhe është qëndrimi që do të mbajë grupi ynë parlamentar. Parlamenti nuk mund dot të marrë atributet e KQZ-së dhe është KQZ-ja që, sipas ligjit, ka detyrimin të bëjë ndarjen e mandatave dhe afati i përcaktuar nga ligji është deri në datën 7 mars. Kështu që padyshim, në rast se edhe qëndrimi i mbajtur sot nga një parti që ka një anëtar në KQZ është ky që thoni ju, kjo është pozitive dhe është KQZ-ja që duhet të vendosë, ashtu sikundër kemi të bëjmë me një ndryshim qëndrimi nga partia që ka anëtarin e forcës së dytë në koalicion qeverisës.

Ju vini në këtë konferencë shtypi pas mbledhjes së Kryesisë së PS, mund të na thoni disa prej vendimeve të kësaj mbledhjeje?

Ne sot u mblodhëm për të vënë pikat mbi “i” mbi disa aspekte. Që kanë të bëjnë me komunikimin, që kanë të bëjnë me organizimin, që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor në tërësi. Ditën e shtunë do të thërrasim Asamblenë Kombëtare dhe në ditët e para të muajit shkurt do të dalim përpara shqiptarëve përmes një eventi të posaçëm lidhur me votën për të ardhmen, qoftë në kuptimin e programit, qoftë në kuptimin e garancisë që vota për të ardhmen nuk do të kthehet në një votë për të shkuarën nëpërmjet deformimit të procesit zgjedhor.

Keni deklaruar se ka 1 milion të papunë dhe nga ana tjetër keni premtuar se do të hapni 300 mijë vende të reja pune në katër vitet e qeverisjes kur të vini në pushtet. Do të thotë kjo se do t’ju duhen 3 mandate e gjysmë, relativisht 15 vite qeverisje për të zhdukur papunësinë?

Për sa i përket çështjes së punësimit, ne kemi marrë një angazhim dhe jemi besimplotë që me programin tonë do të krijojmë kushtet për të hapur 300 mijë vende të reja pune. Sigurisht që situata e papunësisë është jo dramatike, por tragjike. Sigurisht që janë mbi 1 milion të papunë në Shqipëri dhe kur flasim për të papunë kemi parasysh kriteret mbi të cilat bazohet gjykimi se kush quhet i punësuar dhe kush quhet i papunë në Europën ku ne duam të integrohemi. Bazuar mbi këtë gjykim ne jo vetëm konstatojmë që ka mbi 1 milion të papunë, por se ka mbi një milion njerëz që nuk kanë akses në shërbimin shëndetësor, për shkak se janë të pasiguruar dhe për ta pasur këtë akses duhet të paguajnë. Dhe duhet të paguajnë tarifa 5-fish më të larta se pak vite më parë. Kjo për ne është e papranueshme dhe ne nga njëra anë do të krijojmë kushtet për të hapur 300 mijë vende pune në mandatin tonë të parë dhe nga ana tjetër do të krijojmë kushtet që çdo i papunë të mund të marrë kujdesin shëndetësor edhe pse nuk ka mundësi të paguajë. Shërbimin do ta blejë shteti dhe do ta ofrojë një institucion i ri, që ne do të themelojmë, Shërbimi Shëndetësor Kombëtar, duke përmbysur rrënjësisht skemën aktuale të financimit të shëndetësisë.

Disa deputetë të PS kanë deklaruar në intervista të ndryshme që lista e deputetëve duhet të hartohet duke u bazuar edhe te mendimi i simpatizantëve, por edhe i strukturave të PS, jo siç ndodhi në vitin 2009. Si do të hartohet lista e 23 qershorit dhe ç’qëndrim do të mbani për Rezolutën çame?

Ne kemi një shqetësim shumë herë më të madh, pakrahasimisht më të madh sot, të ndryshëm nga i juaji, kur dëgjojmë fjalën listë. Mua fjala listë më lidh me dy gjëra të tjera. Me listat e borxheve dhe me listat e zgjedhësve. Lista e deputetëve sinqerisht janë gjëja e fundit për të cilën unë mendoj sot. Lidhur me Rezolutën, çdo gjë në kohën e vet.

Zoti Berisha më 2004 shprehej se programin e tij qeverisës do ta mbështeste në të ardhurat që do përfitonte nga evazioni fiskal, i cili arrinte në rreth 1.4 miliardë euro apo mafiet e ndryshme që ai i akuzonte. Ndërsa ju jeni shprehur se burimin e zhvillimit të programit tuaj Rilindje Shqiptare do ta bazoni te të ardhurat po nga korrupsioni dhe evazioni fiskal që arrin në masën rreth 1.9 miliard euro. Për të zhvilluar gjithë këtë program keni burime të tjera apo keni një rrugë ndryshe nga pala tjetër?

Jo, këtë e thoni ju. Këtë nuk e them unë dhe nuk e themi ne. Ose më saktë kjo është njëra pjesë e planit tonë. Ju me të drejtë dhe jo vetëm ju, por gjithë shqiptarët me të drejtë, ngaqë janë zhdëpur në gënjeshtra nga Saliu, e kanë të vështirë që të besojnë lehtë. Ndërkohë që ne flasim për një model të ri zhvillimi. Ne besojmë që modeli i zhvillimit që është ndjekur në këto 20 vjet ka shteruar dhe sot jetojmë përputhjen e shterimit të modelit me valën e krizës. Ne do të ulim shpenzimet duke bërë disa reforma të domosdoshme dhe rrënjësore të shtetit, të mekanizmit të funksionimit të institucioneve në funksion të uljes së shpenzimeve dhe të shpërdorimit të parasë publike. Përveç luftës kundër evazionit fiskal, që është një pjesë tjetër që ju e përmendët, apo uljes së nivelit të abuzimit në kuadrin e një korrupsioni që sot është bërë i papërmbajtshëm. Nga ana tjetër ne do të mbështesim investimet prodhuese. Do të mbështesim fuqizimin e ekonomisë rurale dhe do të krijojmë një klimë tërësisht tjetër për sipërmarrjen. Për të marrë më shumë të ardhura, jo duke e lënë sipërmarrjen në të njëjtën situate, por duke përmirësuar kushtet për sipërmarrje dhe duke i dhënë sipërmarrësit respektin dhe dinjitetin që i takon. Besoj se një sipërmarrës i suksesshëm është njësoj si një sportist, si një këngëtar, si një artist, që shoqëria duhet ta vendosë në të njëjtin piedestal dhe jo kushtet ta detyrojnë të fshihet nga frika se po nxori kokën do t’ia matin me atë perin e xhandarëve të administratës së korruptuar tatimore, apo të mos guxojë të bëjë reklamë se do t’i shfaqen kriminelë te dera për t’i vënë gjobë. Jo vetëm gjobat e shtetit, po dhe gjobat e krimit. Sot kemi një rritje eksponenciale të pasigurisë. Kjo pasiguri në radhë të parë reflekton mbi ekonominë. Është një ristrukturim tërësor i modelit dhe sigurisht i rrugëve të funksionimit të shtetit, që do të sjellë rritje të ardhurash duke rritur cilësinë e shërbimeve me bazë nisjeje një qasje tërësisht të re të qeverisë ndaj individit, qoftë ky qytetari i zakonshëm, qoftë ky sipërmarrës i madh.

A do të votoni nesër për kandidaturat në ILDKP?

Do të vendosë grupi parlamentar. Nuk ka shumë për të zgjedhur, midis një kandidature të panjohur dhe një kandidature që s’plotëson asnjë kriter.

Mund të na thoni cili është burimi i 100 milionë lekëve të bashkëshortes suaj?

Ke qenë në Shqipëri këtë javë apo ke ardhur tani? Në qoftë se ke qenë në Shqipëri, duhej të ishe informuar; në qoftë se nuk je informuar, mund t’u referohesh burimeve të informacionit dhe ta marrësh shpjegimin të plotë.

 

 



CLOSE
CLOSE
Pas