Kryeministri Edi Rama ka folur për incidentin e ndodhur në Elbasan, duke mos u ndalur vetëm tek postimet në “Twitter”.
Rama deklaroi për mediat se nuk ka përse të japë llogari për orarin që vendos të mbërrijë në cilindo qytet, duke iu referuar kështu ardhjes në të njëjtën kohë me atë të kryedemokratit Lulzim Basha në Elbasan, me rastin e Ditës së Verës.
“Nuk kishte pse të ndodhte një gjë e tillë”, vijoi kryeministri teksa i mëshoi ardhjes në Elbasan si shenjë respekti kundrejt traditës dhe festës pagane e kombëtare.
“Jam këtu për të uruar të gjithë, pa përjashtim, që të kenë një festë të gëzuar dhe një verë të gëzuar”, – tha Rama.
“Unë dhe ne po përpiqemi të bëjmë çmos që vera të jetë e lehtësuar nga pesha e rëndë prej situatës së imponuar nga armiku i padukshëm, duke garantuar një vaksinim sa më intensiv. Kemi filluar dje me mësuesit dhe pedagogët”, – u shpreh ai duke mos u ndalur më gjatë tek përplasja e simpatizantëve PD-PS.