Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Gjirokastra se, përveç spitalit të Fierit, qeveria ka bërë marrëveshje me Turqinë për restaurimin e shtëpive të vjetra të qytetit me vlera të jashtëzakonshme historike dhe kulturore.
Kryeministri nuk ngurroi t’i rikthehej krahasimeve, kur tha se Gjirokastra ishte si Thumana e shkatërruar pas tërmetit më 26 nëntor 2019, në kohën e qeverisjes së Berishës.
Rama gjithashtu u ndal tek disa nga projektet që mendohet të marrin jetë në Gjirokastër; nga parkingu i madh e deri te By Pass-i.
“Këtu ne jemi në një shembull tipik, një gërmadhë në kuptimin e plotë të fjalës, se nuk kishte as dyer e dritare, as çati, dhe sot është transformuar. Pa diskutim që e ardhmja do të jetë e shkëlqyer për Gjirokastrën. Sfida është që t’i japim Gjirokastrës pamjen e një qyteti universitar. Universiteti këtu ka një sfidë të madhe, sepse kaloi një krizë studentësh. Ne kemi idenë si do ta transformojmë universitetin.
Në çdo aspekt, në çdo drejtim, në çdo sektor, edhe Gjirokastra është njësoj si kantierët e rindërtimit. E kemi gjetur në një situatë si Thumana pas tërmetit. E kemi gjetur të rrënuar. Ky vend është simbol se si një rrënojë, tamam si pas tërmetit, sot është kthyer në një burim fitimi dhe do të jetë burim fitimi edhe më i madh për të gjithë zonën.
Gjirokastra do të vijojë në një nivel tjetër. Do të bëjmë parkingun e madh, që do të mundojë jo vetëm të ketë një fluks të madh turistësh, që pritet të vijnë pas pandemisë, si dhe do të bëjmë qendrën historike këmbësore, me By Pass-i e ri, që do të fillojë shumë shpejt së ndërtuari, është vetëm çështje ditësh.
Projekt tjetër është sistemimi i atyre shtëpive që janë ndërtuar me shtesa abuzive, që do të legalizohen. Me qeverinë turke kemi bërë një marrëveshje për të bërë një investim të konsiderueshëm në një tjetër zonë të Gjirokastrës, me një tjetër grup të konsiderueshëm shtëpish, për të mos lënë që vlerat arkitektonike të mos degradojnë”, – tha Rama.