Kryeministri Edi Rama njoftoi se nga dita e nesërme do të mbyllen lokalet e natës si Pub-et e diskot, palestrat dhe vendet e tjera ku grumbullohen shumë njerëz. Në mbledhjen e sotme të qeverisë lidhur me marrjen e masave kundër përhapjes së koronavirusit, shefi i ekzekutivit tha se do të bëhet gjithçka në funksion të reduktimit të mundësisë së përhapjes së koronavirusit, duke mbyllur vendet e frekuentuara masivisht dhe ku kontakti mes njerëzve është më i madh.
Nga ana tjetër, lokalet dhe restorantet do të vijojnë të jenë hapur, por Rama tha se duhet të reduktojnë numrin e tavolinave si dhe do të përcaktohet një distancë deri 2 metra.
“Këtu shumë kush po luan me veten, nënën dhe babain, motrën dhe vëllain duke i bërë karshillëk një armiku, force të verbër që të këput në mes. Ne do t’i mbyllim të gjitha pubet, palestrat, diskot dhe mjedise që mbledhin shumë njerëz. Do t’i mbyllim për të vendosur shëndetin të parin. Më ka rënë mua që ta bëj këtë rol me ju që ta bëj edhe policin edhe prindin edhe të keqin. Por kjo është gjëja që duhet bërë.
Nuk është pjesë e kësaj faze që ne të mbyllim restorantet apo klubet, por është e domosdoshme që të gjitha restorantet të garantojnë një modifikim të numrit të tavolinave duke krijuar një distancë dy metra nga njëra tavolinë tek tjetra. Këto janë gjëra serioze sa nuk ka më. Është njësoj si të shmangesh nga plumbi. Nuk do të ketë asnjë ndërprerje importi apo eksporti. Nuk do të ketë probleme me furnizimin me ushqime. Nuk do të ketë probleme as në transportimin e mallrave”, u shpreh kryeministri.
Gjithashtu, nga nesër nuk do të ketë shërbime as në sportelet e administratës. Një pjesë e punonjësve të shtetit do të punojnë nga shtëpia.
“Janë kufizuar kontaktet këtu në këtë godinë. Nga dita e nesërme do të çojmë në shtëpi atë pjesë të administratës që mund të punojë me kompjuter. Nga nesër nuk do të japim më shërbime nëpër sportele. Nesër ADISA do të mbyllet. Jemi ne gjendje lufte. Nuk do të ketë shërbime në sportele për aplikimet që nga nesër“, tha Rama.
MASAT E MARRA NGA QEVERIA
1. Mbyllja e pub-eve, diskotekave e palestrave
2. Punë online nga shtëpia për administratën
3. Një nga prindërit me fëmijë të mitur mund të qëndrojë në shtëpi
4. Konsultat mjekësore vetëm për raste emergjente
5. Tavolinat në bare e restorante 2 m largësi