Gjithmonë i duhet një armik para zgjedhjeve. Në rast se nuk ka, do e shpikë. Me opozitën jashtë parlamentit, me bashkitë që i mori sipas shembullit monist dhe i kontrollon bashkë më këshillat, me drejtësinë e cila ndodhet në pikën më të dobët të saj, me rrogat që nuk i rriti, me njerëzit që morën arratinë, me shterimin e çdo resursi ekonomik në këtë vend, i duhet dikush të shkarkojë fajin.
Edi Rama gjeti të shtunën mbrëma, Dritan Lelin, kryetarin e Bashkisë së Vlorës për ta linçuar. Në fakt, Leli, gjithë këto kohë ka mbajtur një figurë të ulët publike, të atij punëpambaruarit për qytetarët, por i zellshëm në zbatimin e urdhrave të qendrës. Kur e dërguan në Vlorë në vitin 2015, nuk e njihte askush por ishte Edi Rama që doli garant për të. Dërgimi i tij atje, pasoi me një përndjekje të paraardhësit të tij, Shpëtim GJika, si për të kënaqur shpirtin rebel të vlonjatëve, për rrugët që nuk u shtruan dhe për gjithçka të lënë pas dore.
Që Dritan Leli e ka mbushur kupën në Vlorë nuk do shumë mend për t’u kuptuar, por kjo nuk e pengoi Ramën që ta rikonfirmonte sërish në Krye të Bashkisë. Në votimet e 2019-s nuk dolën as 10% e votuesve të regjistruar në listë, por Ramës i duhej Leli atje për të noterizuar projektin që ka ai për Vlorën. Që nga PPP-të, pronat e bregut apo dhe nderet me lejet e ndërtimit, resortet apo portet e jahteve të oligarkëve miq.
Nga ana tjetër, Leli i duhet se është dhe shënjestër e lehtë. Një figurë fluide, që merr formën e enës. Nuk gëzon mbështetjen e vlonjatëve dhe mund ta bëjë target të dështimeve të tij kur të dojë, pa krijuar kosto elektorale si në rastin e Gjikës, që ishte një socialist race dhe gëzonte një mbështetje jo të vogël.
Këtë herë u gjet si shkak prishja e lokaleve në Zvërnec. Rama bëri të paditurin, megjithëse IKMT drejtohet prej tij. Natyrisht e dinte fare mirë se çfarë po ndodhte. Kur u ndesh me revoltën e njerëzve në qytetin që e zgjodhi deputet iu desh patjetër një fajtor. Më mirë se Leli nuk kishte se ku gjente. Ky i fundit në gjithë atë mizanskenë s’kish asgjë tjetër në dorë vetëm se të qëndronte spektator. E çfarë përgjigje mund t’u jepte ai vlonjatëve për prishjen e lokaleve në fillim të sezonit, kur urdhri i kish ardhur nga tjetër kush. A nuk ndodhi e njëjta gjë dhe në Velipojë, ku pavarësisht revoltës dhe kundërshtimeve të kryetares së Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, IKMT vazhdoi shembjen e ndërtesave të ngjashme, madje dhe në shkelje të ligjit, siç pretenduan operatorët. Është e njëjta situatë, ndryshojnë vetëm vendet. Në Shkodër ai e di që t’i prishë ose jo, votën e atyre njerëzve s’ka për ta marrë në zgjedhjet e ardhshme. Në Vlorë shpreson akoma.
Por ngjarja e Vlorës është preludi i asaj çka pritet të ndodhë në ditët në vazhdim deri në zgjedhjet e ardhshme. Duket qartë se në mungesë të opozitës, target do jenë kryetarët e bashkive që nuk kanë as një vit që kanë marrë detyrën. Askush të mos çuditet kur këtë gjë ta shohim, kudo në Shqipëri, sidomos në bashkitë ku Rama ka shpresën se mund të rikuperojë diçka.
Elektorati do mbajtur karikuar dhe tani nuk ka as LSI-në që ta akuzojë për pengim timoni si në vitin 2017. Ai nuk gënjen kur thotë se sondazhet e nxjerrin 30% në këtë qytet. Panorama bëhet dhe më e trishtë në qytete apo qarqe të tjera, dhe sa më e ulët të jetë përqindja, aq më i fortë bëhet presioni që duhet shkarkuar diku. Vlora ishte vetëm fillimi me Lelin si kurban i parë.