Qeveria e Edi Ramës vendos të anulojë një koncesion të rëndësishëm në kuadër të projekti të bujshëm 1 miliard euro. Gjithçka vjen pas presionit të studentëve, të cilin fillimisht Edi Rama e quajti ‘komunizëm’. Por edhe anulimet e koncesioneve janë provuar si përvoja të hidhura pë shtetin shqiptar
“Sot, financat e konsoliduara na e japin këtë mundësi dhe na japin mundësinë të kemi dy programe paralele. Një program nga buxheti i shtetit direkt siç është ky këtu dhe një program me partneritetin publik – privat, siç po bëjmë rrugën e Arbrit, siç së shpejti fillojmë segmentin Thumanë – Kashar, Milot – Balldren, segmentin tjetër Orikum – Llogara”.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama rreth tre muaj më parë, teksa fliste për projektet infrastrukturore në vend. Historia e koncesioneve dhe e PPV-e dukej sikur ishte shumë e rëndësishme për qeverisjen e Edi Ramës.
Por pak muaj më vonë, qeveria e Edi Ramës u përball me një nga protestat më të fuqishme dhe më të pazakonshme në dy dekadat e fundit. Mijëra studentë dolën në rrugë duke kërkuar ulje të tarifave, çka e revoltoi jo pak kryeministrin Edi Rama.
Fillimisht i quajti ngelës studentët protestues, më pas tha se po rikthehej komunizmi, për shkak se protestuesit kërkonin studime falas.
Në dhjetorin e ’90-s, studentët dolën për të kërkuar kapitalizmin. Ndërkohë që këta që bërtasin dhe thërrasin sot, duket sikur po kërkojnë komunizëm. Dëgjoja në TV një vajzë nga ky universitet që thoshte pse të bëhej Lungomare, të paguhen tarifat tona. Ta thuash këtë, do të thotë të mos kuptosh “A-në”. Lungomare krijon ekonomi, punësim, turizëm. Investon sot dhe e ke aty për 100 vite, ndërkohë që paratë e lungomares, nëse i shpërndan dhe i bën rrush e kumbulla sot, nesër nuk ke as lungomaren, as paratë, – tha Rama.
Por rezistenca nuk zgjati shumë dhe më 21 janar, një ministre e kabinetit të tij tregoi se kanë vendosur të anulojnë një PPP, në favor të Paktit për Universitetin.
Ministrja ere e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi të hënën ndërprerjen e procedurës së Partneritetit Publik Privat (PPP) për ndërtimin e aksit rrugor Thumanë-Kashar. Ky projekt ishte pjesë e programit “1 miliard euro” të shpallur nga qeveria për ndërtimin e veprave publike sipas formulës PPP. Fillimisht për ndërtimin e këtij aksi rrugor, 20,9 milometra e gjatë, pati një ofertë të pakërkuar. Autoritetet shpallën më pas një garë, të cilën e fitoi ajo kompani, e cila merrte përsipër ndërtimin për 225 milionë euro, një vlerë mjaft e lartë, e cila shkaktoi jo pak debate. Jo vetëm kaq, por edhe anulimet e koncesioneve janë provuar si përvoja të hidhura pë shtetin shqiptar pasi ka paguar jo pak dëmshpërblime nga arbitrazhet.
Ministrja Balluku dha zyrtarisht këtë shpjegim.
“Hapësirën e konsiderueshme fiskale të këtij projekti qeveria do ta dedikojë në funksion të zbatimit të angazhimeve për Paktin e Universitetit, në fushën e arsimit”, deklaroi zonja Balluku, duke shtuar se megjithatë qeveria nuk ka hequr dorë nga ky projekt.
Ky aks ka një rëndësi shumëfishe dhe jemi duke studiuar përfshirjen e tij në projektin e zgjerimit të rrugës Tiranë-Durrës ku në fazën e tij të parë parashikohej ndërtimi i aksit Tiranë-Ndroq Plepa dhe në fazën e dytë ndërtimi i aksit Kashar-Rrogozhinë. Ideja është që pikërisht këtij aksi, pra Kashar-Rrogozhinë, t’i shtohet dhe aksi Thumanë-Kashar, i cili garanton qoftë hyrjen e shpejt në Tiranë nga veriu dhe nga veriu drejt jugut në sezonin turistik.
Por formula e PPP-ve parashikon që ndërtimi i rrugës të kryhet nga fondet private, ndërsa qeveria ta shlyejë pagesën me këste për një periudhë 13-vjeçare, dhe në raste të ngjashme, kësti i parë parashikohet të paguhet pas kryerjes të së paktën 25 për qind të punimeve. Dhe nëse qeveria ka parashikuar pagesën e parë brenda 2019-s, atëherë ajo do të duhet të ndërhyjë në buxhet për të bërë rialokim të fondeve.
Pikërisht i menjëhershëm ishte reagimi i demokratëve, përmes deputetes Albana Vokshi.
“Edi Rama u tall edhe sot në mënyrë të paturpshme me studentët, duke thelluar më tej përçmimin dhe hakmarrjen ndaj kujtdo që ngre zërin kundër qeverisë së tij hajdute. Studentët nuk përfitojnë asnjë qindarkë nga pazari dhe hilet e Edi Ramës me koncesionin Thumanë – Kashar. Kryeministri i ka gënjyer studentët, sepse për Thumanë – Kashar këtë vit në buxhetin e shtetit nuk është parashikuar asnjë qindarkë.
Është për të ardhur keq, sesi ministrja e Ekonomisë, edhe pse vetë është nënë, pranon me gjakftohtësi të mashtrojë studentët, duke u bërë vegël e bindur e Edi Ramës kundër tyre”, -tha Vokshi.
I shpejtë ishte edhe reagimi i Edi Ramës.
Dëgjojini dëgjojini! Dëgjojini se janë për të qeshur (ata që s’u besojnë) dhe për të qarë (ata që u besojnë)! Kur do bëhej rruga Thumanë-Kashar ishte një grabitje qindra milionë, tani që me të njëjtën formulë do investohet për universitetet, s’ka lekë. Çfarë lolosh laj thaj, tha Rama.
Tek e fundit, a përfituan gjë studentët?
Atyre iu është thënë se buxheti nuk mund të ndryshohet për kërkesat e tyre. Por ajo që vlen të analizohet është përpjekja e kryeministrit për të treguar se po u largohet PPP-ve, një model i zhvillimit jo pak i rëndësishëm në botën e zhvilluar, për të ofruar më shumë ‘rrjeta sociale’ për studentët. Qoftë edhe si premtim, tregon se kur bie fjala për ideologji, këtu nuk ka më diskutime. I djathti Rama, që akuzonte demokratët se janë ‘djathë’, tashmë po u shkon pas studentëve që i quajti komunistë.
Para disa kohësh analisti Mustafa Nano shprehej se Edi Rama nuk ka ideale, por ka vetëm ide.
“Është njeri pa ideale. Vini re: Po them pa ideale, jo pa ide! Ide ka, por nuk e vë ujin në zjarr për to. Mund t’i flakë tej për hiçgjë, gjë që do të thotë se ato nuk kanë hedhur rrënjë në qenien e tij. Dhe kjo gjë e bën të mos ketë asnjë projekt të vetin qeverisës. Bën ç’t’i dalë përpara për të arritur të vetmin qëllim që ka: Të rrijë në pushtet!”.