Kryeministri Edi Rama ka njoftuar mesditën e sotme largimin e Eglantina Gjermenit nga radhët e Partisë Socialiste, teksa 46 ditë na ndajnë nga zgjedhjet më 25 prill.
Në një takim me politikanet socialiste, Rama nuk ka ngurruar të shprehë mirënjohje për figurën e Gjermenit në kuadër të 8 Marsit, duke e vlerësuar si aktiviste shembullore që solli vlera e kontribute për 12 vite rresht në Partinë Socialiste.
Kryeministri është shprehur po ashtu, me të njëjtat konsiderata, edhe për ish-deputeten Vasilika Hysi, largimin e së cilës e komunikoi para pak ditësh, në një podium me në fokus Reformën në Drejtësi.
Në janar të këtij viti, Eglantina Gjermeni mori detyrën e kryetares së Nënkomisionit për Barazi Gjinore në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Për një periudhë dhjetë vjeçare (1999-2009), Gjermeni ka qenë drejtore ekzekutive e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim, organizatë joftimprurëse që promovon krijimin e një shoqërie të mundësive të barabarta.
Gjermeni është angazhuar vazhdimisht si konsulente lokale nga organizata të tilla si, UNDP dhe UNIFEM në Shqipëri dhe në rajon.