Kryeministri Edi Rama tha sot në Kuvend se ka besim se vetë Presidenti i Republikës nuk e ka thënë ende fjalën e fundit mbi emërimin e Sandër Lleshit edhe pse afati ka skaduar.
Rama bëri publike edhe letrën e Ilir Metës ku nënvizoi se nuk ka asnjë reference ligjore.
Gjatë seancës së ditës së martë, Edi Rama theksoi se krisja që ka shkaktuar mosdekretimi i Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm nuk është as personale dhe as politike, por kushtetuese.
“Në takimin që pata me Presidentin nuk ishim në një mendje lidhur me arsyen e mosarsyes së dekretimit të ministrit të Brendshëm, por dola me një ndjesi pozitive pasi të dy kuptuam që ka nevojë për mirëkuptim. Është moment delikat pasi është vënë në pikëpyetje një ekuilibër i rëndësishëm. Uroj që e gjitha kjo të mos bëhet për një qëllim që shkon përtej mosdekretimit të ministrit”, deklaroi kreu i qeverisë.
“Jemi këtu për ta ngjitur krisjen. Uroj që Presidenti të mos e çojë krisjen në thyerje”, u shpreh Rama.
“Shumë nga ne në sallë kemi votuar për Ilir Metën si President. Atë ditë nuk e kishim shumicën absolute që kemi sot, por unë e kisha bindjen e plotë se Ilir Meta ishte kandidatura më e përshtatshme në rrethanat kur duhet ta zgjidhnim Presidentin e shtatë të Republikës. Që kur hyri në Presidencë pas dalldisjes fatkeqe me flamurin e LSI-së e ka justifikuar plotësisht votën tonë: ka respektuar Kushtetutën dhe ka peshuar fjalën. Por, qysh prej të shtunës mbrëma kemi një problem me Presidentin të krijuar nga Presidenti”, tha Rama.
“Nuk e ka të drejtën askush që të na pengojë në ushtrimin e mandatit tonë kushtetues”, shtoi kreu i qeverisë.
“Kushtetuta i ka të përcaktuara qartë të 12 kompetencat e Presidentit. Kushtetuta nuk i njeh Presidentit kompetencën për t’i refuzuar propozimet e kryeministrit”, u shpreh Rama.