Kryesore

Rama nuk flet për ‘Rinasin’: Do e mundim opozitën edhe në vitin 2021






               Publikuar në : 11:40 - 11/04/19 |
mapo.al

Kryeministri Edi Rama foli për shumë gjëra sot, por nuk e përmendi fare ngjarjen e rëndë në Rinas. Nga foltorja e Parlamentit, kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria “ka ecur përpara në mënyre të dukshme dhe progres raporti që do publikohet në fund të muajit maj do të rekomandojë pa kushte” hapjen e negociatave për Shqipërinë, siç u theksua sipas tij edhe nga komisioneri për Zgjerimin i BE Johannes Hahn, nga momenti që “Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat për të çelur negociatat”.


Detyra, që sipas tij, kryhen “jo se duhet t’i bëjmë qejfin Brukselit,  Gjermanisë, Francës e vendeve te tjera, por sepse duam të plotësojmë parametrat e një vendi evropian”.

Kryeministri sulmoi sërish opozitën që sipas tij “po eksporton konfliktet e brendshme jashtë vendit” dhe cilësoi reformën në drejtësi si  episod “kyç” i këtij procesi, duke mbrojtur edhe vendimet e diskutuara të Vettingut.

“Kush është mësuar të flasë dhe të recitojë përmendsh për peshq të mëdhenj, i duhet dhëne një përgjigje shumë e thjeshtë. Çfarë lloj peshqish janë ata që sot janë përjashtuar nga sistemi i drejtësisë?! Sa e kanë penguar ata këtë vend të zhvillojë një lufte sistemike me drejtësinë. Ata e kanë penguar jashtëzakonisht shumë, duke vendosur precedentë të rrezikshëm dhe duke e kthyer në normë”, deklaroi Rama.

Kryeministri foli edhe për mundësinë që opozita shqiptare të bojkotoi edhe zgjedhjet vendore të 30 qershorit, duke deklaruar që “Futen apo nuk futen në zgjedhje, detyra jonë është të fitojmë zgjedhjet dhe të përballemi me problemet tona, dhe të përmirësohemi”.

Rama tha se qëllimi i Qeverisë nuk është “asgjësimi i opozitës”, por mundja e tyre në zgjedhjet e përgjithshme të radhës, në 2021.

“Kanë kohë të organizohen dhe përmirësohen deri në atë vit”, tha kryeministri që shtoi edhe që “ata që mendojnë se do bllokojnë negociatat dhe në këtë mënyrë do të marrin pushtetin, do të zhgënjehen. Mbajeni mend, jemi ne që do ta anëtarësojmë Shqipërinë në BE. Nuk e di kur do të ndodhë, por atëherë do të jemi ne sërish në shumicë”.


Etiketa: , , , , ,

Pas