Kryeministri Edi Rama, mëngjesin e sotëm e ka nisur me një postim nga avioni “AirAlbania” me të cilin erdhën udhëtarët e parë nga Londra në Rinas dhe më pas në aeroportin e Kukësit ‘Zayed, Flatrat e Veriut’.
“Mirëmëngjes dhe me këto dy foto nga çasti i hapjes së Aeroportit Ndërkombëtar “Zayed – Flatrat e Veriut”, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Po ashtu kryeministri ka publikuar foto edhe me njërin prej emigrantëve, i cili quhet Eduard Rama, por kryeministri e quan Edi i PD.
“Dy adashë. Majtas Ed Rama i PD, kuksian Londre, djathtas Ed Rama i PS, katunar Surreli”, shkruan Rama.
Edhe ditën e djeshme Rama ka publikuar momente nga udhëtimi me avion me emigratët nga Rinasi në Kukës. Avioni “Air Albania” u nis nga Londra ku mori emigrantë shqiptarë në Britaninë e Madhe, më pas është ndalur fillimisht në Rinas ku kanë marrë kryeministrin Edi Rama dhe fluturimi ka vijuar drejt Kukësit.
Destinacionet e para të fluturimeve në Aeroportin e Kukësit do të jenë me disa qytete të Zvicrës, Gjermanisë por edhe Italisë. Duke sqaruar se pse avioni i cili erdhi nga Londra u ul fillimisht në Rinas, ministrja Belinda Balluku thotë se Shqipëria respekton rregullat, dhe momentalisht aeroporti është operacional.
Më tej ajo garanton se nga ky moment koncesionari vijon punën me kompanitë, dhe nga 17 qershori do të jetë totalisht i përdorshëm nga të gjithë kompanitë. Aeroporti mban emrin “Zayed – Flatrat e Veriut”, duke kujtuar faktin se në Kukës qëndruan shqiptarët e dëbuar nga regjimi kriminal serb i kohës.
Emri “Zayed” është në nderim të emrit të familjes së princit të kurorës së Emirateve të Bashkuara, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë, është përkujdesur për të sjellë ndihma të konsiderueshme.