Kryeministri Edi Rama akuzoi sërish nga foltorja e Kuvendit opozitën se po përpiqet të bllokojë çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Protestat për largimin e qeverisë, sipas Ramës, nuk kanë për tia arritur një qëllimi të tillë. Sipas tij, qeveria nuk largohet me kapsolla, por me votë, ndërsa duke iu rikthyer djegies së mandateve, Rama përsëriti se ky vendim është i paprecedentë në histori.
“Hera e parë që zgjedhjet kontestohen pas një viti e gjysmë. Nuk ndryshohet qeveria me kapsolla. E zëmë se ajo shumicë prej 170 mijë vetë në Bulevard, sipas tyre, do çlirojë Shqipërinë? Duhet të jesh totalisht i gatshëm ta lësh mendjen pushim dhe të shkosh verbërisht pas dikujt. Ne jemi në këtë hall tashmë që duhet të përballemi me këtë soj, me sojin më të degraduar politikisht. PD ka një histori të gjatë marrëdhëniesh problematike me institucionet si kur ishte në qeveri dhe në opozitë, por refuzimi për të përfaqësuar atë që të ka besuar, është diçka e re edhe për PD që ska për ta pranuar askush. Nuk ka shans që të gjenden në këtë rruzull një demokrat i vetëm në Europë, Amerikë, Australi që të prajnojë se kjo është diçka për të cilën ia vlen të bisedojmë.
Parlamentarët që të dalin në rrugë për të veshur jelekun e verdhë, kjo është diçka që s’ka ndodhur…atë e vesh dikush që thotë se s’më përfillin dhe po i vë flakën që të më dëgjojnë…por për një parlamentar, që të pretendojë se kështu forcohet demokracia, çlirohen institucionet, kjo është një shprehje monumentale e dëshpërimit dhe është kurorëzimi i një rruge pa krye i një partie pa kokë, pa sy, pa veshë, pa zemër, pa asgjë…
Ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër veçse të vazhdojmë drejt dhe të fitojmë sfidat tona. Nuk janë të fitojmë zjedhjet, se i kemi fitaur dhe do t’i fitojmë sa kohë nuk do ketë një alternativë…njerëzit i kanë sytë në ballë, kanë 1001 arsye për të qenë kritik ndaj nesh, por nuk kanë asnjë arsye për të shkuar pas berihajit. Sfidat tona janë të mëdha, të mbrojmë pozitionet e fituara në ekonomi, në raport me rritjen e punësimit, për turizmin që është një industri që ka nisur të zhvillohet siç na duhet… Dhe e fundit, që fatkeqësisht ata synojnë me çdo kusht të pengojnë çeljen e negociatave, me çdo kusht”, tha Rama.