Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kryeministri Edi Rama foli edhe për çështjen tashmë të vjetër të akuzave për krimet e luftës për të cilët akuzohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në veçanti akuza e trafikut të organeve të shtetasve serbë ose opozitarëve.
Duke iu referuar Marty-t, Rama deklaroi se “ai duhet të ishte paguar si tregimtar, por kurrë të ishte paguar si raportues i Këshillit të Europës”.
Kryeministri e cilësoi raportin e Marty si tronditës, dhe si “manifest i propagandës mbarëbotërore kundër pavarësisë së Kosovës”, ndërkohë që sipas tij asgjë nuk doli në Kosovë apo diku tjetër që kishte të bënte me trafikun e organeve.
Dhe ndërkohë që këto akuza u treguan të pabaza, sipas tij një skandal ndodhte aty ku “presidenti Hashim Thaçi është arrestuar pa padi, imagjinoni udhëheqësin e vendit tuaj që mbahet një vit i izoluar nga një organizëm që paguhet nga vende demokratike”.
Rama deklaroi në OKB se shpreson se Asambleja e Këshillit të Europës “do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për një raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë, duke rikthyer besueshmërinë e këtij institucioni. Asnjë nuk mund të hedhë baltë mbi figurat e pavarësisë”.
“Në 2011, u soll raporti i Dick Marty ku akuzohej ushtria e Kosovës për trafikimin e organeve, duhet të ishte paguar si tregimtar, por jo si raportues i Këshillit të Europës. Jo vetëm që shumë i besuan, po u shndërruan në faktorë kyç për ngritjen e dhomave të specializuara dhe u bë një nga rastet më të rënda të manifesti kundër pavarësisë së Kosovës.
Asnjë grimë prove apo treguesi nuk u gjet askund në Kosovë dhe asnjë vend tjetër, e megjithatë, dhomat e specializuara kanë arrestuar pa padi Hashim Thacin. Ai priti një vit në burgim deri sa u akuzua zyrtarisht.
Imagjinojeni njëherë, presidenti juaj që merret nga zyra çohet në një vend të tretë që mbahet i ndaluar për një vit të tërë pa asnjë akuzë zyrtare, as edhe një fjalë e vetme e aktakuzës nuk ka të bëjë me raportin e Këshillit të Europës, dështim monumental në nivel ndërkombëtar, njollosje e një vendi.
Ne mendojmë që Asambleja do të nevojë të vërtetën dhe do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë dhe të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë enjë organizatë kaq të rëndësishme”, tha Rama ndër të tjera.