Kryeministri Edi Rama kërkoi në mbledhjen e sotme të Asamblesë edhe përjashtimin e deputetit të Kurbinit, Gjetan Gjetani, nga grupi socialist.
Rama tha se Gjetani ka shantazhuar për vende pune.
“Ka bërë mirë që nuk ka ardhur sot,” tha Rama.
Kryeministri u shpreh se një ditë më parë, Gjetani ka sulmuar punën e policisë.
“Gjetani kërkonte ekskluzitet për shefa policie dhe bënte deklarata pocaqi për policinë,” tha Rama.
Një ditë më parë, pas dy vrasjeve në Mamurras, Gjetani u tregua i ashpër me policinë.
“Ngjarjet e fundit te ndodhura ne Kurbin, me kane shqetesuar shume. Duke bere qe, ne Kurbin, te mos ndihemi te sigurte. Eksploziv, kercenim me arme dhe vrasjen e dy te rinjeve, tregon qe, policia eshte hallke shteterore shume e paafte. Kjo tregon , se ne Kurbin, kane sjelle oficere dhe drejtues policie te paafte te korroptuar dhe ordinere. Si deputet i kesaj zone, kam pas ankesa te shumte nga qytetaret te cilat do ti bej publike ne Parlament. Brenda muajit Shtator do kerkoj interpelance me ministrin e brendshem, dhe nqs nuk do te marre masa per pastrimin e Komisariatit te plolicise Kurbin, une i pari do ngrihem ne proteste, duke kerkuar mbeshtetjen e gjithe qytetareve te Kurbinit pa marre parasysh ngjyrat politike,” shkruante Gjetani në FB.
Gjetan Gjetani është një nga 140 deputetët e Kuvendit, dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit 2017, teksa ishte në listën e PS për zonën e Kurbinit.
Si ish-punonjës policie, emri i tij është lakuar nga PD si i përfshirë në korrupsion, e po sipas opozitës ai rezulton të jetë i dënuar në Itali dhe ka mashtruar në plotësimin e formularit të dekriminalizimit.
E në tetor të vitit të kaluar Partia Demokratike kërkoi verifikimin nga Prokuroria dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të të dhënave të deklaruara për dekriminalizimin për dy deputetë, njëri prej të cilëve Gjetan Gjetani i Partisë Socialiste, zgjedhur në Lezhë.
Ky i fundit asokohe në një intervistë për Top Channel mohonte akuzat e PD, duke theksuar se ai nuk kishte qenë kurrë në Itali.