Aktualitet

Rama pohon “dështimin”, por fajin e kanë universitetet














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:38 - 08/02/21 |
 Mirela Karabina

Në prag të fushatës elektorale Edi Rama po “gjen” fajtorët e dështimit spektakolar të reformës në arsimin e lartë. Dhe këtë po e bën duke gënjyer përsëri, ashtu siç bëri kur hipi në pushtet më 2013-ën. Kështu, nga qyteti i Gjirokastrës ai do të fajësonte universitetet që kanë hapur programe studimi pa njohur tregun dhe kjo “fut në kurth të ardhmen e këtyre njerëzve dhe më pas thonë qeveria nuk na gjen punë, është tregu që përcakton shumëçka” do të theksonte Rama. Ndërkohë, përmendi dhe tregun digjital dhe kritikoi mungesën e programeve të tilla studimi.






Konstatime të sakta bëri, nuk ke ç’i thua këtij kryeministri!


Por, ai nuk dha shpjegime se ku kishte qenë ky dhe qeveria e tij këto 8 vite kur ndodhte kjo katrahurë arsimimi dhe punësimi?





Apo, ai ka detyrë vetëm premtim, konstatim dhe fajësim!



Me një fjalë, Rama pohoi që programet e studimit qenkan kuturu dhe nuk lidhen me tregun, që ka mungesë kompetence digjitale të studentëve pasi nuk ka infrastrukturë të tillë dhe pamundësi punësimi por, ai dhe qeveria e tij, nuk paskan faj.



Madje, fajësoi dhe opozitën për rënie të numrit të studentëve, largim të tyre jashtë vendit dhe rrezikun e mbylljes së universiteteve rajonale.

Pra, jo vetëm kryeministër i papërgjegjshëm dhe qesharak, por dhe gënjeshtar!

Kështu, programi i qeverisë së tij më 2013-ën me sloganin “Për një Shqipëri europiane”, rezulton një gënjeshtër elektorale e madhe, pasi për arsimin e lartë premtoi:

organizim të drejtë e të pavarur vlerësimi, akreditimi, dhe renditjeje të universiteteve publike dhe jopublike duke reklamuar dhe agjencinë britanike, si argument bindës, por rezulton një farsë pasi qenkan klasifikuar kot kur programet e studimit qenkan pa studim tregu dhe punësimi i pamundur, siç dhe kryeministri theksoi;

-skemë të re financimi dhe shërbimi me qëllim përmirësim të cilësisë, por la investimin në arsim më të ulëtin ndonjëherë, 2.4% të PBB duke mbetur të fundit në rajon, kështu, shteti financon pagat vetëm për 10 muaj për pedagogët dhe financimi për student është 500 euro, krahasuar me 18 mijë euro për student në vendet e OECD-së;

-autonomi universitare deri në njësitë bazë si prioritet të qeverisë rilindase, por dukshëm e kapi për fyti atë, me shumicë votash në bordin administrues të universitetit, anëtarët e qeverisë në bord vendosin administrimin dhe mbarëvajtjen e punës;

-kualifikim të personelit akademik si dhe përmirësim të kushteve të mësimdhënies dhe pagave të pedagogëve, drejt ngushtimit të hendekut me pagat në universitet jopublike, rezulton se as kualifikime dhe as rritje pagash nuk kanë ndodhur;

– asistencë universiteteve publike në ngritjen dhe fuqizimin e qendrave të këshillimit për karrierën, por sot studentët nuk dinë nga të shkojnë, cili master iu duhet e cili jo dhe hallakaten me dy-tre të tillë, pasi vendi i punë ia kërkon sipas oreksit të pushtetit;

– vëmendje të veçantë arsimimit të të rinjve në shkencat natyrore, teknike, dhe bujqësore, përmes aplikimit të burimeve dhe incentivave të nevojshme por rezulton farsë dhe asnjë strategji konkrete;

-mbështetje të zhvillimit të shkencës me subvencionim të institucioneve akademike e shkencore në funksion të punës kërkimore, ndërkohë fondet për kërkimin shkencor janë shumë të ulëta, 4-5 mln$, krahasuar me 40 mln $ në vendet europiane;

– mbështetje Akademisë së Shkencave për t’u bërë një forcë shtytëse e veprimtarisë kërkimore, demokratizimi i drejtimit të instituteve shkencore dhe mbështetja e kërkuesve shkencorë me synim institucionalizimin e ndërhyrjes së tyre në politikat e shtetit për shkencën por lejoi votim monist me një kandidat dhe vendosi në krye të Akademisë përfaqësues partiak duke varësuar plotësisht kërkuesin shkencor nga politika;

E pra, ku e kërkon fajin Edi Rama?

Në fakt, ai mund ta vazhdojë ta luajë këtë lojë të largimit të përgjegjësisë nga vetja, për aq kohë sa universitetet do të qëndrojnë të heshtur.

Por lojës së Ramës “bëni si them unë dhe jo si bëj unë” i ka dalë boja, tashmë. Gjendja e rëndë në arsimin e lartë e ka nxjerrë zbuluar filozofinë fasadë të tij.

Përmes gënjeshtrës dhe retorikës zgjedhore, ai po mundohet të krijojë perceptim të deformuar në publik se, me demek, ai nuk faj për rrumpallën me studentët, shkollimin e tyre, diplomat dhe pamundësinë e punësimit, madje dhe të largimin të tyre.

Sepse ai është i mirë, thotë, pasi ka pasur sukses “të madh” duke mbyllur disa universitete private.

Por, “harron” që ky publik po vuan mbi kurriz pasojat e keqmenaxhimit dhe politikave të gabuara të qeverisë së tij.

Protesta studentore e 2018-ës vuri vulën e dështimin të tij me Arsimin e Lartë.

Erdhi në pushtet me programin “Për një Shqipëri europiane”, por nuk i ngriti dot universitetet shqiptare as në standardin e universiteteve të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.

 Ndaj dhe sot gënjen, në vend të marrjes së përgjegjësisë, “gjen” fajin tek universitetet.

 

1


Etiketa:

Pas