Pas një shkrimi të publikuar dje në median italiane “Il fatto quotidiano” për arrestimin e ish-senatorit italian Sergio De Gregorio, vjen reagimi i Kryeministrit Rama.
Në shkrim thuhet se De Gregorio, pronar i faqes online “Pianeta Italia News”, që publikoi 3 vite më parë lajmin për skandalin e mbetjeve toksike të zhdukura në Shqipëri, ishte porositur nga politikanët shqiptarë për të lobuar kundër qeverisë shqiptare.
“Kjo shpifje plehrash kishte synim të furnizonte me municion kundër meje çadrën nën dritaren e Kryekuvendarit! Po më e neveritshmja është që plehrat iu hodhën në fytyrë Shqipërisë në sytë e botës! Ja këta janë opozitarët që duan të shpëtojnë atdheun nga unë!” -shkruan Rama.
Nga ana tjetër personi që përmendet në shkrimin e medias italiane, Ilir Kulla ka reaguar sot duke e cilësuar shpifje përmendjen e emrit të tij si personi që ka lobuar kundër qeverisë shqiptare.
“Të dashur miq kisha vendosur të mos përdorja me Facebook, por një fakeneës e servirur në media sot në lidhje me emrin tim më detyron t’i përgjigjem atyre që kanë merakun të heqin vëmendjen nga biznesi më i madh i mafias në Shqipëri droga dhe me sa duket fatkqësisht nga dështimi i marrëveshjes së Reformës Zgjedhore. Nuk është sekret që unë njoh dhe kam shumë miq në Itali. Kryesisht ata janë njerëz të medias, politikës dhe biznesit. Edhe në shkrimin në fjalë bëhet fjalë se unë paskam njohje me ish Kryetarin e Komisionit të Mbrojtjes të Senatit italian, Sergio De Gregorio. Sigurisht kam njohur këtë senator dhe shumë të tjerë deputetë, ministra, madje dhe kryeministra dhe presidentë. Pavarësisht qasjes qesharake të një shkrimi të porositur se unë paskam lobuar kundër qeverisë tonë në Itali e atij që i paskam lobuar dhe më paska paguar për “detyrën” që i paskam dhënë. Më duhet të them se kjo është vetëm një SHPIFJE dhe asgjë më tepër. Çdo kritikë, oponence dhe opozite që kam bërë me këtë qeveri dhe qeveritë e mëparshme, i kam patur publike dhe do t’i kem publike. I vetmi koment që kam është SHPIFJE, sa për plehrat ato nuk janë vetëm mbetje organike dhe urbane, por mbi të gjitha mbetje njerëzore”, shkruan Kulla.