Pasditen e të hënës Parlamenti do të votojë Kryeministrin Edi Rama edhe si ministër të Jashtëm. Kreu i qeverisë u dekretua të premten nga Presidenti Meta për të mbajtur detyrën që deri më tani është ushtruar nga Ditmir Bushati.
Rama e ka bërë të qartë se de fakto do të jetë Gent Cakaj, zëvendësministri i jashtëm, ai i cili do të drejtojë dikasterin.
Në të njëjtën seancë sipas agjendës do të përcaktohet shpërndarja nëpër komisione të ministrave të shkarkuar të mërkurën, por edhe zëvendësimi i deputetëve dhe kryetarëve të komisioneve që u zgjodhën ministra në seancën e jashtëzakonshme të javës së kaluar.
Një ditë para se të marrë detyrën si ministër i Jashtëm, Kryeministri zhvilloi një takim me Presidentin kosovar Hashim Thaçi. Taksa e importit ndaj Serbisë, negociatat me këtë të fundit dhe rritja e ndikimit rus janë disa nga çështjet me të cilat shefi i qeverisë do të përballet së shpejti në politikën e jashtme, raporton A2 CNN.
Thaçi ka folur për korrigjim kufijsh me Serbinë dhe Rama në qëndrimet e tij e ka lënë të hapur këtë opsion. Gjithsesi, takimi mes të dyve u njoftua nga vetë kryeministri në Instagram, nëpërmjet një fotoje ku dy liderët duket se konsumojnë kafenë e mëngjesit.