Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e nisjes së punimeve për rijetësimin e projektit të Piramidës. Në fjalën e tij, Kreu i Qeverisë bëri një përmbledhje të historisë së Piramidës, nga godina që u quajt si një muze i diktatorit, tek tentativat qesharake sic tha Rama, për të transformuar atë në një Parlament apo Teatër.
Kryeministri tha se Piramida u bë simbol i ‘tokës së xanun’ në një bashkëpunim te vetë shtetit me sipërmarrësit.
Ndërsa me projektin e ri Piramida do t’i vijë në shërbim brezit të ri, në fushën e teknologjisë së informacionit.
“Ky është projekti më i vështirë për të marrë formën e dëshiruar dhe për të jetësuar harmonizimin shumë të vështirë mes të shkuarës dhe te ardhmes, përmes një ndërhyrje në tashmen.
Në kohën kur u ngrit dihet se çfarë qëllimi kishte, por nga pikëpamja arkitektonike ishte ndryshe nga të tjerat. Ishte një shkuarje e arkitektëve të kohës përtej kornizës së asaj kohe, si për të thënë që ajo çka nuk i lejohej të tjerëve dhe nuk lejohej për të tjerat, dhënia e një forme që ishte shumë më e lidhur me tendencat e arkitekturës moderne, për një objekt që ndërtohej në Shqipëri, ishte e mundur, në rastin kur kjo formë do të duhej të përmbante mesazhin e përjetshëm të lavdisë së komunizmit.
Vitet që erdhën e lanë këtë godinë në mes të Tiranës në një proces degradimi ku asnjëherë nuk u gjet mënyra sesi kjo godinë mund të shërbente jo më për qëllimin që u ndërtua, por për qëllime të tjera dhe me funksione të tjera.
Piramida u kthye si një lloj simboli i ‘tokës së xanun’ në një bashkëpunim mes vetë shtetit dhe aktorëve të sipërmarrjes. U kthye në një vend ku veprimtaritë nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën dhe ku hapësira qendrore mbeti një vend i shkretë.
Më pas lindi ideja irracionale për ta kthyer këtë territor në territorin e Parlamentit të ri dhe për ta fshirë godinën nga faqja e dheut. Në mënyrë të papritur krijojë një acarim tek brezi më i ri, tek ai brez që nuk ishte aspak i lidhur me kohën e dikurshme dhe që sapo kishte filluar të futej në kohën dixhitale. Rrjetet e sapo krijuara sociale nisën të përdoren për të thirrur njerëzit në protestë.
Protestuesit ishin më të rinjtë që nuk kishin lidhje me Enver Hoxhën. Nuk protestonin për të ruajtur muzeun e Hoxhës, por për të ruajtur një shenjtë të një kujtese, që nuk ishte kujtesa e tyre, por kujtesa kolektive që ruhet nga brezi në brez nëpërmjet edhe këtyre ndërhyrjeve teje të komplikuar për ta sjellë në një kohë të re dhe për të siguruar që godina mos të jetë një shprehje e përkohshme e një periudhe të caktuar historike, por shprehje e një ambicie që mishëron të ardhmen, përtej përkatësive dhe ideologjive.
Dua ta pranoj që duke qenë se e kam pasur në mëndje këtë godinë dhe sfidën për ta kthyer në një aset të rëndësishëm, që është një sfidë shumë më e ndërlikuar.
Godina është shumë e veçantë dhe hapësirat e saj nuk janë lehtësisht të përdorshme. Sfida më e madhe është programi i godinës. Çfarë do të përmbajë brenda, për çfarë do të shërbeje.
U bë një tentative tragjikomike, qesharake për ta kthyer në teatër nga qeveria e mëparshme. U shpenzuan shumë, u vodhën pllakat dhe aksesoret, për të lënë pas një gërmadhë. Ishte dëshmia se godina nuk mund të shihej si një hapësirë ku mund të kioskëzohej nga qëllimet e lindura rastësisht.
Sot kjo godinë që mbart historinë e saj shumë ekstreme është edhe foleja e gatshme për të pritur ekstremin tjetër, ekstremin e hapësirës së lirisë përmes krijimit të kushteve për më të rinjtë që mund të hyjnë në kosntilacionet e universit dixhital.
Sot projekti i plotëson ato kushte që çdo projekt plotëson për ti shërbyer njerëzve dhe për të mos harruar se nga vijnë.
Kjo godinë e krijuar për të mistifikuar figurën e Enver Hoxhës dhe kohën e një diktaturë, sot do ti shërbejë ekstremit të kundërt me atë që donte Enver Hoxha, duke i dhënë të rinjve lirinë e pakufishme të kërkimit të të ardhmes në një botë që është për tu zbuluar.
Çfarë do sjellë kjo godinë për mua, për mua si prind, për mua si i ri, për mua si pjesëtar i një familje që do të rrijë në Shqipëri, por që nuk e kupton dot se pse duhet të rrijë në Shqipëri dhe të marrë një pagë shumë të ulët se paga që do merrte në Gjermani.
Dua të sjell një fakt që e kam mësuar së fundmi. Në korcë janë të paktën 100 të rinj, të cilët sot fitojnë nga 1 mijë deri në 7-8 mijë euro në muaj. Janë 100 të rinj që janë në botë e tyre, nuk shkojnë të punmojnë as në shtet, as në privat, por thjesht kanë gjetur punë në internet dhe bëjnë shërbime në internet për një palë të tretë”, tha ndër të tjera Rama.