Kryeministri Edi Rama nga Vlora, në një takim me qytetarët, përmendi edhe ish-kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, duke thënë se “flinte gjumë” dhe firmoste atë që, sipas tij, i diktonte Sali Berisha.
Kështu sipas asaj që ka pretenduar Rama, në tetë vite opozitë Basha nuk është provuar si lider, për shkak të ndërhyrjeve të ish-kryetarit, i cili ashtu siç tregoi edhe koha, u rikthye përmes asaj që ai e quajti Rithemelimi i PD-së.
Ndër të tjera Rama tha se për fatkeqësinë e madhe të këtij vendi Sali Berisha dhe Ilir Meta janë ende aktivë në politikën shqiptare, ndërsa Lulzim Basha jo.
Rama sulmoi sërish modelin “Berisha” në opozitë, për arsyen se, “çdo ditë mbush me helm të gjitha ujërat që lëvizin në komunikimin publik. Çfarë duhet për t’u bindur që një që i damkosur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, të braktiset?”, theksoi kryeministri.
Rama akuzoi Berishën dhe Metën, të cilët të gjitha gabimet e tyre po ia faturojnë Bashës. “Tani thonë i bëri Luli, cili Lul, ku ka patur Lul ndonjëherë?”, theksoi Rama.
Gjithsesi, Lulzim Basha pas tërheqjes nga drejtimi i Partisë Demokratike, nuk e ka braktisur projektin e tij politik, duke qenë pranë PD-së që njihet zyrtarisht, në pritje të zgjedhjeve të strukturave dhe drejtuesve të rinj të kësaj partie.