Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë mëngjes projektin e rrugës së re Thumanë-Fushë Krujë-Kashar.
Sipas Ramës, rruga është projektuar të ndërtohet me 4 nënkalime, 34 rrugë dytësore, 12 ura dhe 3 mbikalime dhe do të lidhë Veriun e Shqipërisë e Kosovën me Portin e Durrësit dhe Rinasin.
Gazetari dhe moderatori i njohur Dritan Hila ironizon postimin e Ramës, të cilat i cilëson si përralla për në darkë, si dhe i kujton projektin e pambaruar të By-Pass-it të Fierit, sipas të cilit ka 7 vjet pa mbaruar.
“Bravo me këto makete e rrugës së Arbrit dhe mbikalimeve të Thumanës. Rrofsh për këto mëngjeset që na i bën kaq të bukura me këto sihariqe, megjithëse përrallat tregohen në darkë.
Po shiko mos çon tek ndonjë hoxhë për të yshtur këtë bajpasin e Fierit që ke 7 vjet e s’po i mbaron dot 10 kilometra. Me siguri do të kenë bërë ndonjë magji aty”, shkruan Hila.
Ndërkohë, kryeministri më herët shkruante: “Mirëmëngjes me projektin e rrugës së re Thumanë-Fushë Krujë-Kashar, pjesë e Programit Kombëtar “1 Miliard për Rindërtim” (Shpejtësia e projektuar 140 km/h, 14 nënkalime, 34 rrugë dytësore, 12 ura dhe 3 mbikalime), e cila do të lidhë me infrastrukturë moderne veriun e Shqipërisë e Kosovën me aeroportin “Nënë Tereza” e me Portin e Durrësit dhe tanimë është në fazën finale të përgatitjes për zbatim, ju uroj një ditë të mbarë”.