Editorial

Rama vijon të nxisë dhunën e dyanshme








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:23 - 11/12/20 |
Mapo.al

Ajo çfarë po bëjnë të rinjtë në rrugët e Tiranës në ditën e tretë të protestës, prima-facie, ngjan e pakëndshme. Shpërthimi i zemërimit ka sjellë akte dhune. Mirëpo, kjo kërkon një analizë ku të impenjohet llogjika dhe truri përtej shqisave.



Duhet shkuar tek burimi, te ajo çfarë e nxit këtë shfrim.


Prej 7 vitesh Rama sundon pa marrë në konsideratë interesat, shpresat, apo endrrat e tyre. Ata janë vënë në një qoshe në dy mandate, dhe me ta Rama shpesh është tallur. Si jeni me drogën kendej, a ka bërë noj gol ronaldo, batuta si këto kanë qënë të përhershme. Rama ka bërë humor edhe me dramën më të madhe, kur mijëra e mijëra të rinj janë larguar nga vendi, çka është akti më dramatik i papajtueshmërisë.



Kryeministri vazhdimisht i ka injoruar, i ka shpërfillur sinjalet e tyre. Ka refuzuar ta lexojë këtë protestë të heshtur. Kur pika e vlimit erdhi, pikërisht prej këtij akumulimi të përditshëm në 7 vite, shfaqet sërish po ky kryeministër, që e nënçmon thelbin e mesazhit. Të kërkesës së tyre. Që nuk është thjesht një pikë konkrete. Po është nevoja për ndryshim. Ata ndoshta nuk janë më të artikuluarit, as studentët ekselentë të shkencave politike, por me gjeste, me gjaknxehtësi, po tregojnë se; boll, s’mund të vijohet më me qeverisje arrogante, jollogaridhënëse, shtypëse, fodulle, dhe abuzive deri në palcë.

Lexo edhe :  Zgjerimi i Greqisë me 12 milje në Jon, Henze: Ja ç'fshihej pas udhëtimit të Ramës në New York


Nuk janë aspak një segment i izoluar i shoqërisë. Prindërit e tyre, të afërmit mendojnë njësoj. Po janë të kapluar nga ankthi, se nëse e kanë një vend pune e humbasin. Janë të trysnuar e shantazhuar dhe nuk ua mban kurrizi një shoqërim, arrestim, apo heqje nga lista e ndihmës.


Këta të rinj që janë sot në shesh mendojnë njësoj si shumica, po ndryshe nga ata, janë të çliruar nga frika, dhe s’kanë shumë për të humbur, se asgjë nuk kanë siguruar prej kësaj qeverie, e prej këtij pushteti.

Ashtu si edhe dje, edhe sot, Rama përdori ndaj tyre gjuhën më të helmët, e fyese. Bullizëm nga posti i lartë i pushtetit. I quajti vandalë, lukuni, të përdorur, të shfrytëzuar, dhe madje, edhe të paguar.

Duke u shfaqur si nxitësi më i madh i tensionit, si furnitori me benzinë i këtij zjarri.

Ai duhet të kuptojë se në çdo xham të thyer, ka vetë një dorë, jo vetëm nga keqqeverisja, po sidomos nga sjellja e këtillë, me mungesë reflektimi, me injorim, shpërfillje dhe për më keq, me sulm. Fjalët e ashpra të Ramës, gjuha e tij e urrejtjes, prodhojnë dhunë në të dy kahet. Në shpërthimin e pakontrolluar të rinjve, dhe në më shumë grushta dhe shkopinj gome në kokat e tyre nga policia.

 


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas