Nga Veli Haklaj
VIJON NGA NUMRI I KALUAR
Me mjaft interes dhe fakte të shumta për dokumentimin e mizorive bullgare ndaj shqiptarëve janë edhe raportet e atdhetarit Jahja Karavelija, disa prej të cilëve po i japim në vijim për lexuesin e gazetës “Mapo”.
- Politika e Qeverisë Bullgare për shfarosjen e fisit arbëror
Raport
Ministrisë së Punëve të Jashtme
Tiranë.
Sikurse âsht në dijeni t’asaj Ministrie, më datën 3 dhjetor 1943, u nisa nga Shqypnija edhe tinzisht hyna në tokat shqyptare që sot ndodhen nën sundimin e Bullgarisë. Shëtita vendet mâ kryesore t’atyne viseve arbnore, ku edhe mblodha hollësinat e poshtëshënueme mbi barbarizmat e kryeme prej autoriteteve bullgare kundra popullsisë së pambrojtur shqiptare.
Tashmâ e din edhe vet Qeveria Kombëtare [Shqiptare] se politika që ndjek Qeveria Bullgare kundrejt shyptarëve âsht shfarosja e tânë fisit arbnuer në duert bullgare. Kjo politikë bâhet me qëllim që të shtrëngohen këta vllaznit tanë të mjerë me i lâmun për gjithnjë votrat katragjyshore të vetat, me u arratisë ndër male e me u bâ vegla të bandave komuniste serbo-malazeze, kundra interesave jetike të kombit tonë, jo vetëm, por edhe me vuejtë e me u asgjësue nga të ftohtit edhe nga dëbora: kështu bullgarët të munden, nesër, me i tregue botës mbarë një Kosovë bullgare pa shqyptarë, e dominueme nga elementi sllav.
Nëpër qytete shqyptarët nuk munden kurrsesi me marrë racionin e druve për me u ruejtë prej të ftohtit të madh, as edhe racionet e tjera ushqimore si tëlyen, oriz, patate, sheqer, por as sapun dhe vajguri etj., që elementit bullgaro-sllav i ndahet rregullisht dhe përpiknisht.
Nëpër katunde dhe komunat shqyptarët nuk kanë të drejtë me pre dru, as me shkue në mulli e me bluejtë misrin ose grunin, për me u sigurue bukën e gojës fëmijëve të tyne. Në rast të kundërt ata vriten pa mëshirë si nga organet e sigurimit botuer, ashtu edhe nga ana e popullsisë bullgare të vendit, pa i dhânë llogari kurkujt për krimin e kryem.
Shumica e komunave dhe katundeve shqyptare, larg qendrave të mëdhaja të popullsisë, ndodhen pa kurrfarë autoriteti shtetnuer që t’i mbrojë bashkatdhetarët tanë të çarmatosun nga mënija e egër e serbëve të pangopun për gjak shqyptari dhe që janë të armatosun deri në dhëmbë.
Në Kumanovë jam takue me bashkatdhetarët Sul Hotli dhe Ali Sulejman Stanci. Që të dy këta janë kryetarë të dy çetave shqyptare, të njohura dikur zyrtarisht prej bullgarëve, e që kanë për detyrë me mbrojtë jetën dhe pasunin e popullsisë shqyptare të vendit e të rreth’ e përqarkut nga sulmet e terrori i elementit sllav. Këto dy çeta përbâhen kund prej nja 200 shqyptarësh t’armatosun me pushkë dhe, siç kuptohet, kryejnë detyrën e policisë dhe të xhandarmërisë zyrtare bullgare, të cilat, ashtu siç theksova më nalt, shkëlqejnë për mungesën e tyne ndër vendet e banueme nga elementi arbnuer, që âsht lânë në mëshirën e fatit dhe të sllavëve armiq.
Tash së voni Qeveria Bullgare, tue dashtë, siç duket, me i lânë shqyptarët edhe pa përkrahjen dhe mbrojtjen e këtyne çetave vullnetare, që kështu mund të shfarosen sa mâ shpejt e mâ lehtë nga sllavo-bullgarët, pat dhânë urdhën për çarmatimin e njësiteve shqyptare. Ky urdhën i tyne nuk u zbatue sepse Ali Sulejman Staneci shkoi në Shkup, u takue atje me komandantin ushtarak gjerman, i tregoi gjendjen e vështirë dhe kritike të jetesës së shqyptarëve nën Bullgarin edhe muer prej tij lejen e duhun për mbajtjen dhe mos dorëzimin e armëve në fjalë.
Prej këtyne dy zotërinjve mësova se bullgarët, për me e lânë popullsinë shqyptare nën mëshirën e elementit serb, duen me i ndërrue të tërë kryetarët e komunave që janë me kombësi bullgare e me i zëvendësue me serbjan vendas. Megjithëkëtë, tue qenë të pakët në numër e të shtrënguem me bashkëjetue me shqyptarët, këta serbjanë kanë frikë e nuk kanë pranue deri më sot këtë detyrë shumë delikate.
Siç dihet, për me mujtë me i shfarosë mâ mirë e mâ lehtë shqyptarët kosovarë, autoritetet bullgare kanë dhânë urdhën që shqyptarët të shkojnë e të punojnë nëpër rrugë e nëpër miniera shtetnore, sidomos në Simitli. Simbas autoriteteve bullgare, këta vllaznit tanë duhet të merrnin me veti ushqime për së pakut një javë, do plaçka veshëmbathje edhe do mbulesa. Bashktadhetarët tanë, të cilët e morën vesh mâ së miri se ky urdhën qeveritar synon vdekjen e sigurtë të tyne, kanë ikë ndër male e s’i janë përgjigjë urdhnit në fjalë. Në rajonin e Kumanovës e të Preshevës, që përbëhen prej 15 mijë frymësh, vetëm 400 jevgjë të Kumanovës i janë përgjigjë thirrjes së Qeverisë.
Deri në kohën që unë gjindesha në Kosovën e pushtueme prej bullgarëve, autoritetet e atij shteti nuk patën marrë ndonjë masë ndëshkimore kundër familjeve të këtyne shqyptarëve t’arratisun.
Gjendja e këtyne vllaznëve tanë ndër male, një pjesë e të cilëve ka kalue kufinin dhe ka hy në tokën e lirë shqyptare, âsht me të vërtetë e vajtueshme. Të paarmatosur, pa ushqime të sigurueme, kurdoherë nën kërcënimin e ndjekjes së autoriteteve policore dhe ushtarake të Qeverisë Bullagre, ata ndodhen nën mëshirën dhe propagandën e elementëve subversivë serbo-sllavë, të cilët bâjnë ç’u vjen për dore për me i tërhjekë në vallen e veprimtarisë antikombëtare bolsheviko-sllave.
Megjithëkëtë, âsht mirë të dihet se shqyptarët e arratisun qëndrojnë të patundun në dashunin e tyne për Atdhe, i largohen çdo veprimi që mund të dâmtojë interesin tonë kombëtar dhe kërkojnë prej autoriteteve tona armë e municione për me mbrojtë jetën e tyne nga rreziqet e panumërta që u kërcënohen e për me u bamun elementë të vlefshëm aktivë, nën urdhënat e Qeverisë Shqiptare, për realizimin e ndonjëhershëm të pikësynimeve politiko-historike të Kombit tonë.
Me këtë rast, dëshiroj me shënue edhe këtë fakt që m’u raportue nga të dy bashkatdhetarët tanë kumanovas, që përmenda këtu mâ nalt: autoritetet bullgare, për me arritun pikësynimin e tyne politik, që âsht shfarosja ose largimi i fisit arbnuer nga Kosova, nuk mjaftohen vetëm me masat e ndryshme policore dhe terroristike të drejtpërsëdrejtshme dhe bullgare; ata duan që elementi shqyptar të prishet edhe të shfaroset edhe nga vetë miqtë e kombit tonë, e due me thanë nga autoritetet ushtarake gjermane.
Për këtë shkak kanë gjetë një sistem me të vërtetë djallzuer, zbatimi i të cilit vlen për ta për me e zgjidhun problemin e vrasjes së dy pëllumbave me një gur: d.m.th. me i keqësue gjermanët me shqyptarët, së pari, dhe me u ndihmue aleatëve ruso-anglo-amerikanë, së dyti, për me pasë gojë nesër e me thânë se “kur kemi mujtë, nuk i kemi mohue ndihmën tonë luftës aleate kundër armikut të përbashkët”.
Qe pra se si veprojnë autoritetet bullgare, sidomos ato krahinore:
Në marrëveshje dhe në bashkëpunim me çetat komuniste serbe, me serbët vendas dhe me popullsinë po vendase bullgare, elementët e policisë dhe të xhandarmërisë bullgare prishin, thuajse përditë, pjesët e ndryshme të hekurudhës që shkon prej Nishit në Shkup. Kjo hekurudhë prishet sidomos në pjesën e saj prej Vranje në Shkup e që kështu kalon nëpër vise të banueme me shumicë nga shqyptarë të çarmatosun.
Kur autoritetet ushtarake gjermane kërkojnë llogari nga Qeveria Bullgare për këto prishje të përditshme të rrugës në fjalë, ajo, rregullisht dhe vazhdimisht, fajin ua hedh shqyptarëve të gjorë, të cilët përpara syve të tyre përpiqet për me i tregue si elementë turbullues, anarshistë dhe sabotatorë, a thue se shqyptarët janë aq të trashë nga mendja sa të mos jenë në gjendje me dallue veprën e mirë prej së keqes dhe mikun nga armiku.
Pa u mjaftue me kaq dhe për me tregue zell dhe vullnet të mirë, por të shtimë, përpara autoriteteve ushtarake gjermane, bullgarët kanë urdhnue shqyptarët të rreth e përqarkut me dal e me ruajtë dhe me e mbrojtë rrugën në fjalë me shkopinj në dorë për armë, kundër sulmeve të elementëve sabotatorë, a thua se një vijë kaq e gjatë hekurudhe mund të mbrohet nga një popullsi e çarmatosun tanësisht, siç âsht popullsia shqyptare e viseve prej kah kalon rruga e hekurt.
Këto, përsa i përket lodrës bullgare me gjermanët në kurrizin e elementit shqyptar. Sa për bashkëpunimin indirekt të autoriteteve bullgare me komunistët sabotatorë në dâm të Gjermanisë, atë jam i sigurtë se e kanë kuptue vetë gjermanët dhe âsht një çështje që kalon kompetencën teme. Shtoj vetëm se ky bashkëpunim âsht i përhershëm, i përditshëm dhe në çdo fushë të aktivitetit qeveritar bullgar, sidomos për hatër të Nânës Rusi, mbrojtëse e popujve sllavo-komunistë të Ballkanit.
Nuk mundem me lânë me kalue edhe një provë tjetër të bashkëpunimit, në mos të drejtpërdrejtshme, së paku tërthorazi, në mes të autoriteteve bullgare dhe çetave serbo-komuniste. Këtë bashkëpunim e gjejmë në faktin se, më 26 dhjetor 1943, një çetë komuniste serbe e përbâme prej dy mijë e pesëqind vetësh ka hy në komunën e Bilaçit, pa qenë e trazueme prej askujt. Pjesëtarë të çetës në fjalë i kanë mbajtun fjalime popullsisë vendase serbjane, duke e sigurue se ka me e fitue së shpejti lirinë e humbun e duke i dhânë zemër asaj popullsie për me qëndrue me guxim e durim dhe tue e këshillue për me sabotue armikun me çdo mjet, tue prishë ura, rrugë, hekurudha, depo ushtarake etj. Gjatë gjithë ditës komunistët me popullatën kanë bâ aheng e kanë kërcye në shenjë gëzimi dhe e kanë shtrëngue imamin e Bilaçit, Ramadan Hoxhën, burrë 52 vjeçar, me kërcye e vallëzue 3 orë rresht bashkë me ta.
Me këtë rast duhet kujtue dhe nënvizue fakti se e gjithë ana e përtejme e rrugës që shkon prej Kumanove gjer në Vranjë ndodhet nën administrimin politik dhe policor të popullatës serbe, e cila popullatë bën çka i don qejfi në kurriz të shqiptarëve, të cilët, të çarmatosun, nuk i mbron asnjeri. Autoritetet bullgare nuk përzihen fare në veprimtarinë e serbëve t’asaj ane, jo vetëm, por edhe kanë frikë me u futë në atë krahinë.
Prandaj edhe shqyptarët që jetojnë përkëtej anës së asaj rruge rrinë ditë e natë në roje me sakica e me thika në duer, duke ruajt veten dhe vendin, pse kanë frikë se mos ndodhë ndonjë tjetër tragjedi e tmerrshme si ajo e Rozhajës.
N’interesin e tyre vetjak, për hir të miqësisë që ushqejnë kundrejt autoriteteve mirëdashëse gjermane dhe n’emën të interesave kombëtare të Shqypnis, vllaznit tanë kosovarë nën Bullgari janë gati me marrë përsipër barrën e ruajtjes edhe të sigurimit të komunikacionit në pjesën e hekurudhës Shkup – Vranjë, mjafton që Qeveria Kombëtare e jona t’i armatosë si lypset, qoftë drejtpërsëdrejti duke e pushtue rregullisht dhe ushtarakisht atë vend të paautoritet, në marrëveshje me gjermanët, ose tue i armatosun tinëzisht.
Ja tani një listë e dokumentueme vrasjesh të kryera kundër popullatës së pafajshme e të pambrojtur shqyptare nga ana bullgare:
Më 10 maj 1943, Bullgarët kanë vra Habib Hodin, 22 vjeçar, nga katundi Tërnovac, ndërsa po çonte drithë në mulli për me blue. Bashkë me të është vra edhe Ramiz Jashari, 23 vjeçar, po nga katundi Tërnovac.
Më 15 maj 1943, në katundin Pograq, bullgarët kanë vra Ramiz Durmishin, 36 vjeçar, bashkë me djalin e vet 2 vjeçar, të cilin e kishte në krah.
Më 16 maj 1943, në katundin Rainc âsht gri nga bullgarët Latif Elezi, burrë 45 vjeçar, po nga katundi Rainca, ndërsa po vinte në katundin e vet me drithë në kalë.
Në muajin qershor 1943, në katundin Burnica, ish-rajon i Nënprefekturës së Gjilanit, bullgarët kanë shkue në shtëpinë e Maliq B. dhe me zor e me trishtime të pakufizueme kanë çnderue vajzën e Maliqit.
Më 15 gusht 1943, gjatë muajit të Ramazanit, bullgarët, në bashkëpunim me partizanët serbë, në qytetin e Preshevës, ndërsa xhemati po falej Teravinë, herën e parë kanë qëlluar pushkë kundër popullit besnik. Në kohën që të trembun ata përpiqeshin të dalin jashtë xhamisë dhe të shpëtojnë, janë hedhur në mes të tyre edhe dy bomba, nga plasja e të cilave kanë vdekur katër persona dhe janë plagosur shumë rëndë 24 të tjerë.
Të vdekunit, viktima të këtij atentati mizor, janë: Rexhep Sherifi, 70 vjeçar; Rifat Rexhep Kamberi, 60 vjeçar; Ramiz Agushi, 30 vjeçar; Lutfi Mehmeti, 52 vjeçar.
Të plagosurit rëndë janë: Idriz Ymeri, 46 vjeç; Arif Rashiti, 25 vjeç, i cili ka mbetur i cunguem për gjithë jetën; Jonuz Alija, 60 vjeç; Shaban Mehmeti, 66 vjeç; Hamdi Jonuzi, 35 vjeç; Neim Bektashi, 50 vjeç; Beqir Shabani, 55 vjeç; Ali Said Sadiku, 43 vjeç; Mahmud Fahredini, 28 vjeç; Jahja Mustafa, 24 vjeç; Rahim Ademi, 28 vjeç; Veli Nuhija, 53 vjeç; Dalip Alija, 23 vjeç; Halit Kadrija, nga katundi Sllupçan i Nënprefekturës së Kumanovës, 18 vjeç; Meha Boshnjaku, 70 vjeç; Hysen Rainca, 68 vjeç; Zejnullah Halimi, 55 vjeç; Jashar Rifati, 16 vjeç; Mustafa Hyseni, 70 vjeç; Sali Saiti, 50 vjeç; Sali Jusufi, 35 vjeç; Qahil Norça, 30 vjeç; Rexhep Duka, 65 vjeç; Shefqet Ahmed Agushi, 18 vjeç.
Më 9 dhjetor 1943, ditën e dytë të Bajramit të Vogël, ndërsa po shkonte në punë të vet, bashkë me gruen hipun në kalë, një ushtar bullgar ka vra Islam Sinanin, 33 vjeçar, nga katundi Kurbali. Gjashtë ditë me radhë nuk është lejue varrimi i kësaj viktime të gjorë.
Më 21 dhjetor 1943, nga shkaku se ishte vrarë një kapter i ushtrisë bullgare nga njerëz të paditur, ushtria bullgare ka sulmue katundet Bornicë dhe Lipovicë. Atje kanë vra Azem Shabanin, 50 vjeç, i verbër nga të dy sytë. Të gjithë mâshkujt e zânun janë rrahë e dërmue pa mëshirë dhe të tâna shtëpitë janë plaçkitur deri në fund; edhe plaçkat, si pajet e vajzave, të nuseve e të grave të martueme, janë grabitë nga ushtarët bullgarë. Edhe një farë Abdullah Sherifi, i cili ndodhej si mik në një shtëpi dhe që âshtë nga Persheva, âsht rrahun aq shumë nga ana e ushtarëve sa që nuk ka pasur fuqi me asnjë mënyrë me u kthye në qytet dhe âsht dashtë të dërgohet në shtëpi të vet me karrocë.
Tashti, mbas ngjarjes së trishtueme, popullsia e të dy katundeve âsht arratisë bashkë me gra e me fëmijë, ndër male, e ndodhet në një gjendje me të vërtetë të vajtueshme.
Nuk dihet se në cilën datë, porse gjatë muajit tetor 1943, policia bullgare, në bashkëpunim me serbët e vendit, ka therun copa-copa Ymer Xhemalin, 22 vjeç, nga Presheva, dhe copat e trupit të tij, brenda në një thes, janë hedhur në vneshtat e Preshevës. Këto copa trupi janë gjetë mbas tre ditësh.
Vrasje dhe plaçkitje të tilla në Kumanovë dhe në Shkup brenda nuk ndodhin, âsht e vërtetë; megjithëkëtë, popullsia shqyptare e vendit âsht e këputun nga terrorizmat e ndryshme të bullgarëve dhe jetojnë gjithmonë me frikë e në tmerr të ndonjë ngjarjeje të papritun e të trishtueshme dhe nuk mundet me kalue ndonjë ditë për pa dhânë ryshfete djathtas e majtas, për me mujtë me i kalue sadopak në qetësi këto ditët mâ të zeza të jetës së vet.
Si përfundim të këtij relacioni tem mbi vuajtjet dhe mjerimet e vllaznëve tanë që kanë fatin e zi me jetue nën kthetrat e qeverisë së pamëshirshme bullgare, dëshiroj me shtue se kur isha tue kalue kufinin për me hy përsëri në tokën shqyptare, d.m.th. më 31 dhjetor 1943, mësova se po atë natë kishte mbërritë një batalion kalorije bullgare në Preshevë. Gjatë udhëtimit për në Tiranë u informova se kjo kalori ende nuk ka fillue ndonjë veprimtari kundër popullsisë shqyptare. Shkaku i vërtetë i ardhjes së këtij batalioni kalorije në Preshevë nuk dihet.
Tiranë, më 12 janar 1944
Me nderime të shqueme,
Jahja Karavelija
- Informata mbi mizoritë bullgare kundër shqiptarëve
Në një nga raportet e tjera të tij, Jahja Karavelija informon autoritetet shqiptare të Tiranës për këto mizori të bullgarëve ndaj shqiptarëve:
Shkup: – Vrasje ndër shqiptarët nuk janë bâ, por shënohen vetëm disa rrahje. Një gjysmë ore para se të ngryset, autoritetet bullgare ua kanë ndalue shqiptarëve qarkullimin nëpër rrugë, ndërsa bullgarët dalin e shëtisin vetë në një mënyrë fare të rregullt. Gjithashtu shqiptarëve nuk u lejohet ushtrimi i mjeshtrinave të ndryshme dhe i aktivitetit tregtar. Kështu, shqiptarët, për me mujtë me vijue tregtitë e tyne, detyrohen me pague ryshfet në të katër anët, se për ndryshe vdesin urie. Të gjitha këto gjâna bâhen me qëllim që shqiptarët të mërziten dhe të braktisin tokën e tyne.
Këto kohët e fundit, bullgarët kanë fillue me ju marrë shqiptarëve gjânë e gjallë me çmime fare qesharake. Kështu, për shembull, për një shumë sendesh që kushtojnë 150 napolona, bullgarët paguajnë vetëm 20 napolona. Âsht vu re që shqiptarëve nuk u lehet veçse një pendë qe dhe një lopë. Kafshët e tjera u merren të gjitha me përdhuni.
Kumanovë: – Vrasje ndër shqiptarët nuk janë bâ, shënohen vetëm shumë rrahje për vdekje.
Në katundin Hotël janë rrahë: Hasan Mehmeti, 30 vjeç; Mehmet Osmani, 35 vjeç. Ky katund âsht grabitë i tani prej bullgarëve. Një veprim i tillë âsht bâ edhe në katundin Sllupçan., ku janë marrë edhe plaçkat e arkave të grave.
Edhe në katundin Vaksincë bullgarët kanë ra pré mbi shtëpitë e shqiptarëve dhe kanë rrëmbye gjithçka kanë gjetë.
Nga Shkupi, Kumanova dhe Presheva, bullgarët kanë marrë afro 2 mijë ushtarë dhe i kanë dërgue në minierat e Simitlisë, ku ata punojnë si rob. Këta të marrë si rob po përdoren shumë keq, nuk po u jepen ushqime dhe po rrihen çdo ditë prej bullgarëve. Merret vesh se shumë kanë vdekur. Âshtë hapë fjala se bullgarët kanë ndërmend me marrë përsëri ushtarë nga vendet e naltpërmendura për t’i dërgue edhe këta në minierat e Simitlisë.
Në Preshevë, bullgarët kanë vra, më datën 29 shkurt 1944, të quajtunin Xhavit Begun, burrë i njohur si kundërshtar i bullgarëve.
Në katundin Raicë, bullgarët kanë rrahë për vdekje këta burra shqiptarë: Azem Bajramin, 38 vjeç; Azis Hysejnin, 32 vjeç; Xhevat Rahimin, 22 vjeç; Xhevat Dostanin, 27 vjeç; Ibrahim Ymerin, 30 vjeç.
Shënojmë se në këto katunde janë krye mizoritë mâ të pashoqe, janë plaçkitë të tâna shtëpitë, plaçkat e grave dhe janë marrë deri edhe vathët nga veshët e femnave shqiptare t’atjeshme.
Në katundin Çernotiç, bullgarët kanë rrahë për vdekje Ramadan Limanin, 30 vjeç; Hajredin Halimin, 50 vjeç; Qerim Mehmetin, 28 vjeç; Vehbi Saliun, 30 vjeç; Emrulla Osmanin, 32 vjeç; Bajram Osmanin, 30 vjeç. Shënojmë se këta shqiptarë janë të njohur si kundërshtarë të Bullgarisë dhe janë si prijsa të qëndresës shqiptare.
Në katundin Miratoc, më datën 20 janar 1944, bullgarët kanë vra Ilja Malokun. 30 vjeç.
Në katundin Pisjan, që më parë ishte në rrethin e Gjilanit e tash në rrethin e Preshevës, më 8 prill 1944, 10 shtëpi shqiptare që gjendeshin aty janë arratisë të gjithë, femën e mashkull, e kanë dalë në Gjilan. Shënojmë se këta kanë vuejtë si rrahje të turpshme, si burgime nga ana e bullgarëve. Këtu po përmendim vetëm gratë e katundit Pisjan, të cilat para se të delnin në Gjolan, bashkë me burrat e tyne, janë rrahë e përdorë ligsht nga ana e bullgarëve. Burrat dhe gratë i kanë zhveshur para njâni-tjetrit dhe i kanë rrahë të dyja palët në të njëjtën kohë.
Të gjitha këto mundime thuhet se bullgarët po i bâjnë për të mërzitë shqiptarët, që kështu këta të fundit të lirojnë vendin.
Krahina në lindje të hekurudhës së Preshevës nuk ka asnjë autoritet bullgar. Atje janë vetëm komunistat serbë e bullgarë. Katundet shqiptare po vuajnë shumë ndër këto vende, sepse nuk po munden me ua dalë me bukë e me ushqime, si autoriteteve bullgare ashtu edhe komunistave.
Jahja Karvelija
(firma)
VIJON NUMRIN E RADHËS
LEXO EDHE:
Barbarizmat bullgare: Raportet e atdhetarit Hysejni për gjendjen
Mizori ndaj shqiptarëve në tokat e robëruara nën okupacionin bullgar