Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar Raportin për Terrorizmin ku përmblidhen arritjet dhe sfidat e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate për të luftuar dhe mposhtur organizatat terroriste gjatë vitit 2018.
Në seksionin për Shqipërinë thuhet se vendi vazhdoi të mbështesë me forcë përpjekjet anti-terror, si dhe vazhdoi të marrë pjesë në Koalicionin Global për Mposhtjen e ISIS-it.
Raporti thotë se kërcënimi terrorist në Shqipëri vjen nga luftëtarët e huaj që kthehen nga Iraku dhe Siria, si dhe nga përpjekjet për radikalizimin e rinisë shqiptare drejt dhunës.
“Në dhjetor të vitit 2018, Shqipëria dëboi dy zyrtarë iranianë, përfshirë ambasadorin iranian, në përgjigje të një plani të sponsorizuar nga Irani për kryerjen e një sulmi terrorist në Shqipëri. Shqipëria vazhdon të përfitojë nga programet e asistencës së financuara nga qeveria amerikane për trajnimin e prokurorëve, zyrtarëve të zbatimit të ligjit, hetuesve financiarë, analistëve të zbulimit dhe gjykatësve.
Megjithë përpjekjet për parandalimin e financimit të terrorizmit, përmendet konkluzioni i MONEYVAL, organ i Këshillit të Evropës, që e vlerëson Shqipërinë me “efektshmëri të ulët” në tre drejtimet kryesore të financimit të terrorizmit: konfiskimin, hetimin dhe shtrirjen e sanksioneve financiare”.