Aktualitet

Raporti i EUROPOL – Shqipëria, në krye të trafikut të kanabisit drejt BE-së














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:11 - 13/04/21 |
mapo.al

Në raportin e Vlerësimit të Kërcënimit nga Krimet e Rënda dhe të Organizuara, EUROPOL e rendit Shqipërinë në krye të vendeve që eksportojnë kanabis drejt vendeve të Bashkimit Europian. Grupet shqiptare vlerësohet të jenë tejet të organizuara dhe me role hierarkike të përcaktuara mirë. Raporti i policisë europiane vjen pas atij të Departamentit të Shtetit, i publikuar në mars 2021, i cili vinte në dukje se sundimi i dobët i ligjit dhe papunësia e lartë ka sjellë një kontroll të dobët të aktiviteteve kriminale, siç janë tregtia e drogës apo pastrimi i parave në biznesin e ndërtimit dhe turizëm





Shqipëria vazhdon të mbetet burimi kryesor i trafikut të kanabisit, drejt vendeve të Bashkimit Europian. Në këtë konkluzion ka dalë për të disatin vit raporti i EUROPOL-it për vitin 2021 në lidhje me krimin e organizuar, i cili e rendit vendin tonë në majat e eksportit të drogës, që furnizojnë Europën. Sipas raportit “SOCTA2021”, rrjetet kriminale shqiptare janë shumë mirë të organizuara, dhe funksionojnë me parimin e hierarkisë, ndërsa shtohet se respekti fitohet me dhunë. “Shqipëria mbetet një burim kryesor i kanabisit bimor të trafikuar në BE. Rrjetet kriminale që merren me trafik kanabisi janë shumë të organizuara. Ata janë tipikisht në mënyrë hierarkike të strukturuar me role dhe nivele të përcaktuara mirë. Një pjesë e madhe e rasteve të raportuara në EUROPOL që kanë shfaqur dhunë fatale dhe serioze janë të lidhura me drogën, në veçanti me tregtinë e kanabisit”, shkruhet në raport. Rrugët e Ballkanit sipas raportit vazhdojnë të mbeten kanalet kryesore edhe të trafikimit të heroinës që vjen nga vendet e lindjes.


Raporti 2020
Edhe në raportin e vitit të kaluar, pra për vitin 2020, EUROPOL, paralajmëronte një rritje të aktivitetit kriminal përgjatë pandemisë, pasi sipas tij policia shqiptare po harxhonte energji të shumta me pandeminë. Paratë që vijnë nga ky aktivitet kriminal sipas raporteve të policisë europiane investohen më së shumti në biznesin e ndërtimit dhe atë të turizmit. Mungesa e hashashit në tregjet perëndimore për shkak të pandemisë, ka bërë që gjatë vitit 2020 grupet kriminale të rrisin aktivitetin e tyre. Në raportin e vitit të kaluar sqaroheshin edhe rrugët që ndjekin organizatat kriminale për trafikimin e kanabisit. Korridori jugor kalon përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë, duke përdorur transportin detar dhe atë tokësor. Një tjetër rrugë është ajri, përmes përdorimit të avionëve sportivë.





Kritikat e DASH
Por jo pak kritik në lidhje me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës për vitin 2020, ka qenë dhe raporti i DASH i publikuar më shumë se një muaj më parë më datë 3 mars. “Sundimi i dobët i ligjit, korrupsioni dhe një shkallë e lartë e papunësisë janë faktorët kryesorë të problemit të kontrollit të drogës në Shqipëri. Grupet shqiptare të krimit të organizuar vazhdojnë të pastrojnë të ardhurat në Shqipëri dhe të kontribuojnë në korrupsionin në vend”, vlerëson Raporti vjetor i Strategjisë ndërkombëtare të kontrollit të drogave, i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. “Hetimet e SHBA-ve kanë çuar në shpërbërjen e organizatave të trafikut të drogës të përbërë nga shtetas shqiptarë në të gjithë Ballkanin, Europën Perëndimore, Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Qendrore dhe Jugore. Autoritetet greke vazhdojnë të arrestojnë shumë shtetas shqiptarë të angazhuar në kultivimin dhe shpërndarjen e kanabisit në Greqi”, shton më tej raporti i DASH.

Lexo edhe :  Koronavirusi në Shqipëri- 108 raste të reja dhe 5 viktima në 24 orë


Shqetësim për Shtetet e Bashkuara është dhe pastrimi i parave, dhe në këtë drejtim qeveria shqiptare sipas raportit nuk ka bërë përparime. “Qeveria e Shqipërisë nuk bëri asnjë përparim të dukshëm për të penguar pastrimin e parave dhe krimet financiare në vitin 2020. Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare. Vendi ka një ekonomi të madhe të parasë në cash dhe sektor informal të gjerë, me flukse të konsiderueshme parash nga jashtë në formën e kontributeve nga emigrantët dhe investimeve të ndryshme, kryesisht në fushën e pasurive të paluajtshme apo projekteve të biznesit. Trafiku i drogës, evazioni fiskal dhe kontrabanda konsiderohen si aktivitetet e paligjshme që krijojnë më shumë të ardhura”.


Reagimi, Meta: Droga dhe trafiqet po ia nxijnë faqen vendit
Presidenti Ilir Meta ka reaguar ditën e djeshme ndaj raportit të EUROPOL-it për Shqipërinë si burim kryesor të trafikimit të kanabisit në BE, edhe për vitin 2021. Në një postim në Facebook, Meta shkruan se droga dhe trafiqet po ia nxijnë faqen Shqipërisë dhe po e rrënojnë, ndërsa akuzon kryeministrin Edi Rama dhe Rilindjen. Zgjedhjet parlamentare më 25 Prill, sipas Metës, jo më kot janë referendum popullor: pikërisht që trafiqet e drogës t’i përkasin të shkuarës. “Droga dhe trafiqet po ia nxijnë faqen Shqipërisë dhe po e rrënojnë. Këtë e thekson qartë drejtuesja e Europolit, e cila bën përgjegjëse “Rilindjen”. Prandaj 25 Prilli është referendum popullor, që droga dhe trafiqet t’i përkasin të shkuarës”, shkruan Meta.

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas