Presidenti Ilir Meta ka reaguar mesditën e sotme për konkluzionet e raportit vjetor të Freedom House, se Shqipëria është zbritur me një pikë, krahasuar me vitin 2020, përsa i takon lirisë dhe demokracisë.
Në një postim në “Facebook”, Meta ndalet tek ngjarjet që sipas Freedom House kanë ndikuar tek kjo rënie – shembja e Teatrit Kombëtar dhe vrasja e të riut Klodian Rasha nga një efektiv policie – duke thënë se nuk mund t’i mbulojë asnjë propagandë dhe se për to drejtësia do të vendoset në vend.
25 prilli, thotë Meta, është momenti historik për t’i dhënë trajektore të re Shqipërisë.
Postimi i Presidentit Ilir Meta në “Facebook”:
“Freedom House” e zbret Shqipërinë edhe më poshtë për vitin 2020, mes regjimeve HIBRIDE!
Shembjen e Teatrit Kombëtar për interesa klienteliste, dhunimin e protestuesve dhe vrasjen kriminale të Klodian Rashës gjatë kohës së pandemisë nuk mund t’i mbulojë asnjë propagandë. Këto dhe të tjera ngjarje të rënda kurrë nuk do të amnistohen dhe për to drejtësia do vendoset në vend.
Përkeqësimi i të gjithë treguesve, veçanërisht shkelja mizore e të drejtave të njeriut, është një këmbanë e fortë alarmi për instalimin e shtetit policor, që e kam denoncuar prej kohësh.
Referendumi i 25 prillit 2021 është momenti historik për t’i dhënë një trajektore të re të demokracisë, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, me qëllim përmbushjen sa më parë të kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian.
LEXO EDHE:
Raporti i Freedom House: Dy ngjarjet që sollën rënien e Shqipërisë me 1 pikë