Kryesore

Raporti i GRECO për korrupsionin: Të zbatohet ligji në nivelet e larta, Policia e politizuar








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:19 - 03/12/20 |
mapo.al

Zbardhet raporti i Këshillit të Evropës për situatën e korrupsionit në Shqipëri.



Në një raport të ri, Grupi i Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit (GRECO) ka bërë thirrje që Shqipërisë që të zbatojë kuadrin ligjor për të parandaluar korrupsionin në nivelet e larta.


Sipas GRECO, kjo arrihet edhe përmes përmirësimit të kapaciteteve të organeve përgjegjëse për parandalimin e korrupsionit dhe përmes një qasjeje proaktive ndaj hetimeve. GRECO vlerëson këtë kuadër ligjor gjithëpërfshirës dhe ambicioz që mbulon aspektet më të rëndësishme të luftës kundër korrupsionit.



“Fokusi tani duhet të vihet në koherencën e tij të përgjithshme dhe në zbatimin efektiv të këtyre normave, në përmirësimin e kapaciteteve të organeve përgjegjëse për zbatimin e tij dhe në miratimin e një qasjeje proaktive në drejtim të kontrollit administrativ dhe gjyqësor. Disa bashkëbisedues konsideruan se normat e ndryshme janë disi të shpërndara dhe të vështira që të gjithë aktorët përkatës të punojnë me to. Është shfaqur shqetësimi që jo të gjithë subjektet e këtij legjislacioni kanë dijeni si duhet për normat që duhet të zbatojnë”, thuhet në raport.



“GRECO rekomandon që të miratohen dhe të zbatohen plane konkrete integriteti nga të gjitha ministritë, që të përmbajnë një analizë sistematike të riskut në lidhje me integritetin me të cilin mund të përballen ministrat dhe këshilltarët politikë gjatë ushtrimit të detyrave të tyre dhe mekanizma të monitorimit dhe pajtueshmërisë dhe ii) që të hartohen dhe të zbatohen masat e duhura korrigjuese që synojnë posaçërisht PTEF-të”, vijon raporti.


“Policia e politizuar”
Shqetësime më të mëdha ka edhe sa i takon zhvillimeve në policinë e shtetit, por edhe ndryshimet ligjore. Vetingu i uniformave blu ka të ngjarë, thotë GRECO, të largojë nga kjo forcë një numër të konsiderueshëm efektivësh, siç ndodhi në gjyqësor, duke e bërë të vështirë ushtrimin e funksioneve kryesore të policisë.

Një shqetësim kritik ka të bëjë edhe me praktikën aktuale që Policia e Shtetit mund të marrë donacione private dhe sponsorizime, të cilat rekomandohet se duhet të rregullohen në mënyrë rigoroze dhe të jenë transparente për të shmangur korrupsionin dhe konfliktin e interesit.

Mungesa e përvojës dhe kapacitetit teknik për hetimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik në policinë e shtetit është një tjetër aspekt i raportit ndërsa planifikimi i rekrutimit të 500 të rinjve çdo vit , nuk është e sigurt nëse do të plotësojë nevojat e policisë dhe të përmbushë hapësirat e krijuara nga vetingu.

Politizimi në Policinë Shqiptare është gjithashtu një çështje shqetësuese ndaj rekomandohet të merren masa që të rritet qëndrueshmëria e drejtuesve të lartë në pozicionet e tyre pavarësisht nga ndryshimet politike në vend.

Rekomandimet
GRECO nënvizon nevojën për të mbështetur anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe këshilltarët politikë për arritjen e standardeve të integritetit dhe, në të njëjtën kohë, për të informuar publikun mbi sjelljen që mund të presin prej tyre.

“Prandaj, GRECO rekomandon që Kodi Etik Ministror ekzistues të plotësohet me udhëzime konkrete për zbatimin e tij në lidhje me konfliktin e interesit dhe çështje të tjera të lidhura me integritetin (p.sh. dhuratat, kontaktet e palëve të treta, lobimet etj); të sigurohet funksionimi efektiv i Komisionit të Etikës, ose ndonjë mekanizëm tjetër i besueshëm i mbikëqyrjes dhe sanksioneve, sidomos në lidhje me Kryeministrin, dhe rregullat etike të plotësohen me shembuj ilustrues dhe mekanizmat e zbatimit për këshilltarët politikë“, nënvizon raporti.

Një tjetër rekomandim i rëndësishëm i raportit është që ILDKPKI të përmirësojë kapacitetet për verifikimin e pasurive.

Një numër i konsiderueshëm i çështjeve të dërguara nga ILDKPKI në prokurori nuk ndiqen penalisht si duhet. Mungesa e proaktivitetit dhe efektivitetit të prokurorisë është theksuar nga disa bashkëbisedues të GET si një shpjegim për nivelin e dobët të zbatimit konkret të raporteve të ILDKPKI. Kjo pengon rolin e ILDKPKI në hetimin e deklarimeve të rreme ose rasteve të korrupsionit

GRECO rekomandon që të përfundojë si një çështje me përparësi rekrutimi i stafit të prokurorisë dhe stafit teknik në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe që anëtarëve të tij t’u ofrohen burime të përshtatshme njerëzore dhe teknike dhe prokurorët të marrin trajnim specializimi të lartë, dhe të vendoset në mënyrë efektive bashkëpunimi i duhur me ILDKPKI për të përmirësuar në mënyrë të efektshme zbatimin e raporteve të ILDKPKI në rastin e shkeljes të ligjeve mbi konfliktin e interesave dhe deklarimit të pasurisë nga PTEF dhe punonjësit e policisë”, vijon raporti.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas