Aktualitet

Raporti i OSBE: Kodi Zgjedhor nuk parashikon zgjedhje pa kundërshtar







               Publikuar në : 18:55 - 14/06/19 |
mapo.al

“Kodi Zgjedhor nuk përmban asnjë rregullim specifik për zgjedhje pa kundërshtarë”. Kështu shprehet me shqetësim OSBE-ja në raportin paraprak për zgjedhjet lokale në Shqipëri.


Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve ka analizuar gjithë zhvillimet në vend që nga 24 Maji e deri më sot, ku thuhet se “zgjedhjet për kryetarë bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiakë në të gjitha 61 bashkitë po mbahen në kushtet e një ndarjeje të thellë politike mes Partisë Socialiste në pushtet dhe Partisë Demokratike në opozitë, së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim”.

Opozita, thuhet në raport, kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. “PD-ja dhe LSI-ja, ashtu si edhe disa parti më të vogla opozitare nuk marrin pjesë në zgjedhje. Në 31 bashki, kandidatët e PS-së për kryetarë bashkie garojnë pa kundërshtarë. Më 10 qershor, Presidenti dekretoi shfuqizimin e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve. Më 11 qershor, PS-ja inicioi një debat në Parlament në lidhje me vlefshmërinë e dekretit që shfuqizonte dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe shkarkimin e mundshëm të Presidentit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vazhdon përgatitjet për zgjedhjet”, shkruhet më tej në raportin e OSBE-së.

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it, duke përfshirë edhe një auditues të KQZ-së për regjistrimin e zgjedhësve, kanë ngritur shqetësime në lidhje me cilësinë e këtij procesi. “Gjuha e përdorur dominohet nga polemikat dhe debatet nëse mund të mbahen zgjedhje pa pjesëmarrjen e partive opozitare kryesore. PS-ja nuk e ka pranuar publikisht dekretin e Presidentit, i cili synon shfuqizimin e dekretit për vendosjen e datës së zgjedhjeve dhe vazhdon të mbajë mitingje në kryeqytet dhe në qytetet kryesore. Mjedisi mediatik është i larmishëm, por mediat kryesore perceptohen si të pozicionuara politikisht. Përdorimi i përmbajtjes së prodhuar nga partitë politike në edicionet informative mbetet shqetësim për shumë nga bashkëbiseduesit e MVZ-së së ODIHR-it”, citojmë raportin e OSBE/ODHIR.


Etiketa: , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas