“Vetëm 70% e shkollave tona kanë kushtet minimale të higjienës dhe 30% e tyre nuk kanë as ujë dhe as kushte minimale pastërtie”. Kështu deklaroi sot ish-deputetja e PD-së Jorida Tabaku. Ajo theksoi se këto shifra vijnë nga një vëzhgim i UNICEF sepse të dhënat e sakta mungojnë dhe nuk bëhen publike nga qeveria.
“Situata bëhet alarmante në kushtet kur vendi po përballet nisjen e procesit arsimor me disa turne dhe kushte të rënduara të shkaktuara nga pandemia. Veç kushteve higjieno sanitare, Shqipëria merr notë ngelëse edhe përsa i takon përdorimit të internetit në shkolla, kompjuterave apo infrastrukturën e avancuar”, tha Tabaku duke shtuar se gjendja e shkollave publike sot në vend është pasqyrë e qartë e keqqeverisjes dhe rrënimit të çdo institucion shtetëror.
“Këto fakte nuk mund të injorohen dhe as zhvlerësohen nga propaganda dhe as nga videot 3D që më kot përpiqen të manipulojnë të vërtetën e hidhur të gjendjes katastrofike të sistemit arsimor. Jeta dhe shëndeti i nxënësve dhe mësuesve janë sot më të rëndësishme se çdo formë e propagandës bajate”, vijoi Tabaku duke iu kundërvënë qeverisjes aktuale.
Ajo gjithashtu bëri thirrje se është koha të merren masa urgjente për të siguruar kushtet higjeno sanitare në të gjitha institucionet arsimore në vend.