Aktualitet

Raportimi në Kuvend, kreu i SPAK: Hetime për çdo informacion që vjen nga SHBA














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:00 - 15/06/21 |
mapo.al

Krerët e institucioneve të reja të Drejtësisë raportojnë në Kuvend; Kreu i SPAK, Arben Kraja: Do hetohet çdo informacion që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeprokurori Olsian Çela pranon ngërçin e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit.






Urdhri Ekzekutiv i firmosur nga Presidenti amerikan Joe Biden disa ditë më parë që përfshin dhe Shqipërinë në sanksionet për personat e korruptuar dhe që ndikojnë në destabilizimin e Rajonit ka ngritur shumë pikëpyetje për atë që realisht pritet të ndodhë në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave. Pyetja kryesore është; A do të ketë drejtësia e re shqiptare, e lindur pas reformës së imponuar nga SHBA-të dhe BE, forcë për të luftuar korrupsionin në nivele të larta? Ose nëse do të përdornim fjalët e një ish-ambasadori amerikan në Tiranë; të kapë “peshqit e mëdhenj”? Krerët e institucioneve të reja të Drejtësisë kanë raportuar dje në Kuvend për punën e tyre dhe ndër të tjera i kanë dhënë përgjigje dhe kësaj pyetjeje.


Kreu i SPAK (Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion) Arben Kraja deklaroi se çfarëdolloj informacioni apo materiali që të vijë në SPAK nga Shtetet e Bashkuara, do të hetohet dhe do t’i shkohet deri në fund. Deputeti Ralf Gjoni e pyeti Krajën se kur SPAK do të nisë funksionimin duke filluar të procedojë penalisht “peshqit”. “Nga lista e personave “non grata”, Shqipëria është ndër të paktat vende ku këta persona nuk kanë pasur një procedim penal para se të shpalleshin “non grata”, a mund të kemi shpresë çdo veprim “non grata” i SHBA do të ndiqet nga ana juaj?”- pyeti Gjoni.







Kreu i SPAK u përgjigj se “është një proces, do kohën e vet, se kur SPAK do të fillojë të ketë rezultate. Prokuroria e Posaçme duhet të ketë parasysh se ndëshkueshmëria dhe respektimi i të drejtave të njeriut shkojnë paralel. Ne kemi dhënë rezultatet e para, janë goditur grupet e para. Bashkëpunojmë me të gjitha strukturat, me Policinë, por edhe me faktorin ndërkombëtar. Rezultate ka pasur. Pritshmëritë e njerëzve janë nga më të mëdha, ne ndeshemi aty edhe me gjëra që nuk kanë lidhje fare me punën tonë”.



Ndërsa lidhur me personat “non grata” Kraja shtoi se “lista është një proces që ndodh në SHBA, ne jemi në Shqipëri dhe kemi parashikimet tona për një procedim penale e si shkohet deri te gjykata. Çdo indicide, apo material që do të kemi ne në dispozicion, në raport me çdo shtetas shqiptar, pa diskutim që jemi të vendosur për ta çuar hetimin deri në fund. Çfarëdo që do të vijë, përfshirë dhe partnerët ndërkombëtarë”.



Debati për hetime që prekin njerëz të fuqishëm në politikën vendase u rihap pas shpalljes “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Më herët DASH ka vendosur këtë sanksion edhe ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili aktualisht është dënuar nga gjykata e shkallës së parë për fshehje të pasurisë, dhe po ashtu ndaj kreut të PSD-së, Tom Doshi.

Ndërkohë Urdhri Ekzekutiv i Biden parashikon që “sanksione kundër personave veprimet e të cilëve destabilizojnë rajonin duke minuar institucionet demokratike dhe shtetin e së drejtës ose duke shkelur të drejtat e njeriut”. Mbetet për t’u parë nëse sanksionet amerikane do të vënë në lëvizje edhe institucionet e drejtësisë vendase siç po ndodh në rastin e Llallës. Kreu i SPAK, Arben Kraja, është pyetur gjithashtu për një sërë çështjesh nga hetimet pasurore te krimet zgjedhore.

Kraja thotë se SPAK nuk del dot në rrugë e t’u kërkojë njerëzve se ku e kanë blerë shtëpinë, por garanton se për çdo informacion që i vjen do të reagojë. Sa për krimet zgjedhore, drejtuesi i SPAK thotë se kanë nisur 50 procedime penale për zgjedhjet e 25 prillit dhe kur të ketë rezultate përfundimtare do njoftohet publikisht. Po ashtu hetimet pasurore sipas Krajës janë një prioritet i SPAK. Ndërkohë pyetjes se a ka qenë hetues në vitet 1987-1991, Kraja e pranoi teksa shtoi se është verifikuar dhe ka marrë lejen për të vijuar si prokuror.

Lexo edhe :  SPAK kërkoi arrest shtëpie, GJKKO e lë sërish në burg babain e Arbër Çekajt

Kryeprokurori kërkon bashkëpunim institucional
Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, raportoi dje në Kuvend për goditjen e kriminalitetit, por edhe pastrimit të parave në vend. Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, Çela është pyetur nga deputeti Ralf Gjoni se çfarë është bërë për goditjen e pastrimit të parave, duke përmendur edhe urdhrin ekzekutiv të Presidentit Joe Biden. Nga ana e tij, kryeprokurori tha se pastrimi i parave është prioritet i Prokurorisë, duke shtuar se duhet bashkëpunim institucional, pasi sipas tij, “në nivel lokal çalon bashkëpunimi”.

“Kemi nënshkruar një memorandum që ka lidhje me goditjen e pastrimit të parave. Synuam të konvergojmë ndërveprimin institucional, prioritetet tona, duke pasur në fokus jo thjesht pastrimin e veprës penale, por edhe krimet financiare, si evazioni fiskal etj. Për këtë u krijuan 7 seksione në prokuroritë më të mëdha të vendit, që e kanë fokusin në këtë grup veprash penale. Përtej kësaj, ne kemi parashikuar organizimin në dy nivele, atë qendror: identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve, dhe në nivel vendor, për të rritur efikasitetin. Kaq mund të bëjë Prokuroria e Përgjithshme në drejtim të goditjes së krimit financiar dhe pastrimit të parave. Për herë të parë ne po i lidhim këto dy vepra, tani mbetet në dorë të prokurorive. Kam vënë re se në nivel lokal çalon bashkëpunimi. Disa drejtori rajonale, si ajo e Tatimeve, ku shihet se ka mungesë informacioni, që pasohet me goditjen e aseteve. Në prioritetet tona është monitorimi dhe zbatimi në këtë fushë”, – tha kryeprokurori.

Ndërkohë i pyetur në lidhje me dosjet e pezulluara, ku u përmend dosja e të zhdukurit Enver Stafuka dhe të bankierit Artan Santo, Çela tha se nuk mund të flasë për çështje konkrete, por sipas tij, hetimi për zbulimin e autorëve bëhet në bashkëveprim me Policinë e Shtetit. “Për shkak të kompetencës që ka prokurori, mënyrën si ndërvepron ajo me Policinë e Shtetit, në momentin e pezullimit të një dosjeje, është në kompetencën e prokurorisë të kryejë veprime në drejtim të zbulimit të autorëve. Prokuroria hyn në këtë fazë, në momentin që Policia e Shtetit paraqet fakte, që ka indicie që mund të çojnë në zbulimin e autorëve. Ju folët për çështje konkrete, por unë nuk mund të flas për çështje konkrete. Por duhet ta pranojmë që stoku i dosjeve të pezulluara është i lartë. Patjetër që ka nevojë për rivlerësim të situatës nga Policia e Shtetit, ne do i japim gjithë mbështetjen e nevojshme për të çuar në zbulimin e ngjarjeve kriminale. Dërgohet dosja e pezulluar për zbulim të autorit. Policia ka veprimtari zbuluese. Në momentin që ka elementë të vlefshëm që mund të çojnë në zbulim të autorit, prokuroria kryen ato hetime procedurale, që janë të pamundura të kryhen nga policia”, – tha Çela.

Raportimet e krerëve të drejtësisë në Kuvend u duartrokitën nga kreu i grupit parlamentar të mazhorancës socialiste, Taulant Balla, pasi sipas tij kjo tregon se PS ka garantuar që politika të mos emërtonte apo të kishte kompetenca në emërtesa në institucionet e drejtësisë. Ai theksoi se duhet të vazhdojmë ta konsolidojmë këtë rritje të pavarësisë së institucioneve tuaja.

Nga shifrat që referoi zoti Kraja, që ka të bëjë me numrin e personave nën hetim gjatë 2020, 71% e rasteve janë marrë të pandehur. Për pjesën tjetër për asnjërin nuk është pushuar hetimi. Kjo është një shifër shumë domethënëse. Kurrë më parë institucionet e prokurorisë nuk kishin një shifër mbi 70% për personat e marrë nën hetim. Niveli i personave të marrë nën hetim në kohën e Saliut dhe Ilir Metës nuk e kalonte 10-12%. Kjo tregon seriozitet, natyrshëm është vetëm fillimi”, u shpreh ai.

1


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas