Aktualitet

Rasti “Malaj”/ Vettingu sjell vonesa në ngritjen e Kushtetueses






               Publikuar në : 21:03 - 26/07/19 |
Aleksandra Bogdani

Gjyqtari Artur Malaj po përballet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit me kërkesën për shkarkimin e tij, por në një proces paralel që po zhvillohet në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, Malaj hodhi një hap përpara drejt ambicies për t’u zgjedhur Inspektor i Lartë i Drejtësisë.


KED njoftoi të enjten se gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit është lejuar të vazhdojë garën, pas verifikimeve të kryera mbi kushtet ligjore të kandidimit. Ndryshe nga Malaj, dy kandidatë të tjerë –Altin Hazizaj dhe Mimoza Qinami u skualifikuan nga kandidimi për të njëjtin post. Gara për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë- një ndër institucionet kyçe të arkitekturës së re të drejtësisë është rrudhur tashmë mes 6 kandidatëve, nga 13 që shprehën interesin në fillim të vitit.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Artur Malaj konkuron me Avokatin e Shtetit, Artur Metani, avokaten Eris Hysi, sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj, ish-kryeinspektoren Marsida Xhaferllari dhe me ish-gjyqtarin, aktualisht ekspert i EURALIUS, Klodian Rado.

Rasti i gjyqtarit Malaj, i cili lufton njëherazi kundër shkarkimit në KPA dhe në kërkim të promovimit nga KED reflekton kontradiktën e proceseve në kundërkohë që po zhvillohen aktualisht në kuadër të reformës në drejtësi.

Njësoj si Malaj, edhe dy kandidatët magjistratë për Gjykatën Kushtetuese, prokurori Besnik Muçi dhe gjyqtarja Regleta Panajoti u kaluan për në fazën tjetër pa një vendim përfundimtar të vetingut – dhe sipas kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, procesi do të ecë përpara në mungesë të tyre.

“Dilema në rastin e Z.Malaj ishte se çfarë do të bëjmë; të ndërpresim procesin deri në vendimin e Kolegjit apo do të vazhdojmë,” tha Dvorani për BIRN në një bisedë telefonike.

“Ne nuk kemi verifikuar asgjë mbi pasurinë dhe figurën e kandidatëve magjistratë, pasi vendimin për ta do ta japin institucionet e vetingut. Por Këshilli ka afate ligjore për të përfunduar procesin dhe ndryshe nga SPAK, dispozitat për dy postet nuk parashikojnë vendim të formës së prerë nga vetingu”, tha Dvorani i keqardhur për vonesat.

Lejimi ose ndalimi i kandidimit vendoset nga Këshilli pas një procedure të gjatë vlerësimi mbi kriteret formale, pasurinë, figurën dhe profesionalizmin si dhe aspekte të tjera ndaluese, të tilla si bashkëpunimi me ish-Sigurimin e Shtetit. Procesi megjithatë është i ndryshëm për juristët dhe kandidatët magjistratë; të cilët vlerësohen për tre prej kritereve nga institucionet e vetingut.

Pasi të përfundojë procedura e verifikimit për të gjithë kandidatët, KED pritet të kryejë brenda një kohe të shkurtër procesin e pikëzimit dhe më pas të renditjes së kandidatëve, ndonëse Dvorani pranon rrezikun potencial të rezultateve të kundërta –nga Kolegji dhe KED për kandidatët magjistratë.

I pyetur se çdo të ndodhte nëse kandidatët e zgjedhur nga KED do të shkarkoheshin më pas nga Kolegji, Dvorani u përgjigj se kjo me siguri “s’do t’i bënte nder procesit”. Ai shtoi megjithatë se vendimi i Kolegjit do ta bënte të papajtueshëm kandidatin ndaj çdo pozicioni në drejtësi.

Gjykata Kushtetuese
Mungesa prej më shumë se një viti e Gjykatës Kushtetuese përbën një ndër debatet më të nxehta politike në vend mbi pasojat e reformës në drejtësi dhe në shtetin e së drejtës, ndërkohë që presioni për ringritjen e shpejtë të saj është i gjithanshëm. Njësoj edhe mungesa e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë; një institucion përgjegjës për procedimet disiplinore të njerëzve të drejtësisë.

Procesi për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u fut në shina pranverën e këtij viti në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, pasi Këshilli i vitit 2018 nuk arriti të kryente asnjërin prej funksioneve të veta. Në garën për Inspektorin e Drejtësisë kandiduan fillimisht 13 persona, ndërsa në nëntë thirrjet paralele për Gjykatën Kushtetuese u regjistruan fillimisht 87 kandidatura nga 41 juristë dhe magjistratë (pjesa më e madhe kanë kandiduar në disa thirrje paralele).

Njësoj si për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, edhe kandidatët për Gjykatën Kushtetuese firuan rrugës- një pjesë të larguar me dorëheqje dhe pjesa tjetër u skualifikua nga vetingu ose u ndalua të kandidonte nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

BIRN mësoi se aktualisht në garë kanë mbetur 12 kandidatë për 6 poste, ndërkohë që numri rrezikon të rrudhet edhe më tej për shkak të vlerësimeve që po kryhet në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Ndërkohë, tre prej karrigeve të Gjykatës Kushtetuese do vazhdojnë të mbeten sërish bosh, pasi Gjykata e Lartë është njësoj e paralizuar për shkak të shkarkimeve masive nga vetingun.

Garën për Gjykatën Kushtetuese e vazhdojnë tre këshilltaret ligjore, Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska, gjyqtarët Rexhep Bekteshi dhe Regleta Panajoti, prokurori Besnik Muçi, avokatët Gëzim Allaraj, Petrit Kaja dhe Sinan Tafaj si dhe pedagogia e drejtësisë, Zhaklina Peto. Në konkurim mbeten gjithashtu edhe ish-kryeinspektorja Marsida Xhaferllari si dhe eksperti Klodian Rado, të cilët garojnë njëkohësisht edhe për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Nga kandidatët magjistratë për Gjykatën Kushtetuese, Vorpsi, Papajorgji, Toska dhe gjyqtari Rexhep Bekteshi janë konfirmuar me vendim të formës së prerë. Konfirmimi i prokurorit Besnik Muçi u apelua në Kolegj dhe seanca e parë është caktuar më 3 shtator, ndërkohë që gjyqtarja Regleta Panajoti u konfirmua me shumicë votash në KPK, por nuk ka ende një vendim nga Komisioneri Publik.

Detyra e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është verifikimi i një sërë kriteresh që duhet të plotësojnë kandidatët; mes të cilëve edhe pasurinë dhe figurën e kandidatëve jo-magjistratë si dhe vlerësimi i tyre me pikë dhe dalja me një renditje për secilën prej vakancave të hapura.

Më pas, tre prej anëtarëve do të zgjidhen nga Presidenti i Republikës, tre nga Kuvendi me 3/5 e votave dhe tre anëtarë të tjerë i takojnë Gjykatës së Lartë.

Në nenin 125 të saj, Kushtetuta përcakton se zgjedhjet bëhen mes tre kandidatëve të renditur të parët nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, por nisur nga numri i ulët i pretendentëve në garë dhe kandidimi i tyre për disa thirrje radhazi, shansi për t’u zgjedhur për secilin prej tyre është 50 me 50.

Kandidatët në garë për Inspektoriatin e Lartë

1-Artur Malaj (konfirmuar nga KED)

2-Artur Metani

3-Eris Hysi (në pritje)

4-Genci Gjonçaj

5-Klodian Rado

6-Marsida Xhaferllari

Kandidatët për Gjykatën Kushtetuese

1-Arta Vorpsi (konfirmuar nga KED)

2-Besnik Muçi (konfirmuar nga KED)

3-Elsa Toska (në pritje)

4-Fiona Papajorgji (konfirmuar nga KED)

5-Gëzim Allaraj (në pritje)

6-Klodian Rado

7-Marsida Xhaferrllari

8-Petrit Kaja

9-Regleta Panajoti (konfirmuar nga KED)

10-Rexhep Bekteshi

11-Sinan Tafaj

12-Zhaklina Peto

BIRN/


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas