Bash në bregun afër Paphos-it në Qipron jugperëndimore, perëndesha Afërditë u ngrit yllësore nga shkuma e detit për të shpërndarë gjithkund kumtin e saj për harmoni dhe dashuri. Sa ironike që pikërisht ky vend në breg të detit solli në jetë Rauf Denktashin, të shkurtër, trashaluq e të patundur si një shkëmb, me një portret që i bëhej kundërshtar çdo zgjidhjeje harmonike mbi qeverisjen e ishullit, nëse nuk përkonte me kushtet e tij.
Kushtet e tij ishin të thjeshta. Qiproja veriore turke, e cila zinte pak a shumë një të tretën e ishullit, e zbrazur nga banorët grekë, duhej të ishte një republikë njësoj e pavarur si edhe pjesa greke, shumë më e madhe se ajo, dhe duhej të njihej nga bota. Fakti që nuk u bë kurrë e tillë, përjashto në sytë e Turqisë, nuk ishte si pasojë e mungesës së dëshirës apo përpjekjeve nga ana e tij. Pas dy dekadash si zëdhënësi kryesor e dredharak dhe negociatori kokëfortë i Qipros turke, ai deklaroi, në nëntor të vitit 1983, pavarësinë e njëanshme dhe e udhëhoqi i vetëm për 22 vitet e ardhshme.
Megjithëse formalisht ai e pranoi idenë e një federate të çlirët, një pakt me dy shtete ishte dëshira e tij mbytëse. Vizitorët në pallatin e tij presidencial, të ngazëllyer nga mirësjellja, aparati fotografik që fiksonte çdo takim dhe kanarinat e ëmbla që i këndonin në zyrë, merrnin gjithashtu leksione të gjata për masakrat e qipriotëve grekë mbi ata turq në periudhën 1963-1974. Të dërguarit e huaj, përfshirë të shkëlqyerin Richard Holbrooke, në vitin 1998, përcilleshin me zukama në veshë. As një periudhë problemesh kardiake në vitin 2002 nuk e ndali në kundërshtimin e tij për një marrëveshje të kujdesshme për Qipron (‘diabolike’, sipas tij) të hartuar nga Kofi Annan, asokohe shef i OKB-së.
Ajo që ai, ashtu si shumë grekë radikalë- nuk pëlqente në skema të tilla ishte, së pari, prezumimi i një kombi qipriot. Nuk ekzistonte një gjë e tillë. Gomerë qipriotë, po. Zakone të caktuara qipriote si për shembull i parapëlqyeri prej tij, zhytja e ëmbëlsirave në konjak, po. Përndryshe, thoshte ai, ishulli përbëhej nga turq e grekë që jetonin ngjitur e ngjitur. Ata kishin bashkëjetuar kështu qysh me mbërritjen e osmanëve në vitin 1571, si komunitete të ndara me gjuhë të ndryshme. Turqit ishin muslimanë sunitë, grekët të krishterë ortodoksë. Në djalëri ai kish lozur me grekët, por shpejt mësoi të mos u zinte besë. Siç edhe ata atij. Mund të vinin në skenë momente dashurie, siç ndodhi kur Glafcos Clerides, cuounterpart-i i tij në anën qipriote greke dhe një rival i vjetër i sallave të gjyqeve, bëri shaka dhe hëngri supë me të në vitin 2001. Por ai i njihte thellë në shpirt.
Thellë në zemrën e grekëve, thoshte ai, ishte dëshira e kolonizimit të turqve, ose më keq ende. Të pakënaqur me trajtimin e tyre si të nënshtruar dhe shfuqizimin e të drejtave të barabarta, grekët kishin si qëllim t’i përzinin nga ishulli dhe më pas të bashkoheshin me Greqinë. Arkipeshkvi Makarios, udhëheqësi i tyre, dhe gueriljet e kishin kërkuar këtë prej vitesh para se, pa ndonjë dëshirë, të bënin kompromis. Si jurist i mprehtë dhe i trajnuar në Londër, në vitet ’50 Denktash kishte qenë në anën e akuzës kundër grekëve të përzier në tregti eksplozivësh. Ai nuk dyshonte se, megjithëse ata po luftonin kundër britanikëve që asokohe sundonin Qipron, targeti i tyre përfundimtar ishin patriotët e tij turq. Nëse enosis (bashkimi) materializohej ndonjëherë, shkruante ai, qipriotët turq do të fikeshin si qirinjtë në stuhi.
Shpresa e vetme e tyre ishte shtimi i qëndresës, ndarja dhe ndihma nga Turqia. Denktash e mbante veten si të pavarur dhe ai merrte të gjitha vendimet në rripin e tij të ngushtë të tokës ishullore. Por u desh një pushtim turk në vitin 1974, si reagim ndaj një puci të dështuar grek, që i lejoi komunitetit të tij të konsolidonte zotërimet e veta territoriale; ishte ndihma turke rreth 500 milionë dollarë në vit që i mundësoi shtetthit të tij të mbijetojë; dhe ishte prania e 30 mijë trupave turke, që e kthyen Qipron veriore në një kamp ushtarak, që e bënin atë të ndihej i sigurt. Nga pishina e vilës së tij në ishullin e Gjarprit, ishte Turqia në bregun tjetër që ia mundësonte indulgjencën.
Nga fundvitet ’50 ai furnizonte me informacione Ankaranë rreth gueriljeve greke dhe më pas të gjitha qëndrimet e tij nëpër negociata kalonin nga Ankaraja. Prej këtej, pjesërisht vinte edhe siguria e tij shkëmbore. Pati edhe mosmarrëveshje: në veçanti rreth ëndrrës së Turqisë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian, të cilin Denktash-i urrente, sepse BE këmbëngulte në njohjen vetëm të pjesës greko-qipriote të ishullit, e cila ishte bërë pjesë e klubit në vitin 2004. Por ai nuk e mbante sekret faktin se, nëse Qiproja i duhej bashkuar një vendi tjetër, ky duhet të ishte Turqia, sepse, arsyetonte ai, Turqia e kish patur pronë të vetën dikur, ndërsa grekët, që nga koha e Homerit e këtej, vetëm sa kishin banuar aty.
Ndërsa koha kalonte, Denktash-i nuk ishte më i parapëlqyeri i popullit të vet. Ai fitoi mandatin e tretë si President në vitin 1995 vetëm në raundin e dytë. Pavarësisht rrufeve të tij, turko-qipriotët votuan për planin e Annanit, megjithëse greko-qipriotët bënë të kundërtën. Veriorët e pëlqenin idenë e anëtarësimit në BE dhe si rrjedhim devijimin e fluksit të turizmit dhe zhvillimit që kishte kapluar jugun. Në disa vende kufijtë me tela me gjemba ndërmjet dy komuniteteve filluan të hiqeshin.
‘Problemi qipriot’ sidoqoftë mbeti dhe mbetet. Denktash, për sa kohë mori frymë, ishte simboli i këtij problemi.